Nga Fisnik Biba
Në një vend pa shumë ligj si Shqipëria, hijelehtë e me sjellje zonjushe, a është e mundur ti qëndrojmë një mujshari me shembuj e arsye? A mund të vihet një e drejtë pa dhunë, ti dalim zot vetes e të tjerëve kur bëhet një padrejtësi, ashtu, me mendje të ftohtë? Apo ka dhe një kundër-dhunë të drejtë? Në varësi të përgjigjes që seicili sjell, kemi dhe sqarimin e ngjarjes së bujshme në rrugën e Kombit.
Një përgjigje na duhet për sqarim. Të arrestuarve t’iu kthjellet mirë në mendje pse morën aq vrull në përndezjen e tyre; pse një pjesë e stërmadhe njerzish, larg çdo ngjyre politike, iu gjenden në krah, i mbështesin dhe disi i nderojnë. Jo se është e lavdishme një thyerje xhamash, një përleshje me forcat e policisë. Të kuptohemi, kjo është një shtërngesë që përdoret si ultima ratio. Në asnjë rast s’do kërkohej që dikush të rrihej me policinë, të prishi sadopak një rrugë, e të bëhet udhë dhuna kur nuk dimë si të shprehim mospajtimin tonë.
Por e gjithë kjo përplasje vjen si pasojë e rrethanave ku shoqëria është zhytur. Në një anë kemi një jetë të hollë e të vuajtur, e në tjetrën një qeverisje të trashur nga shkujdesja. Kemi një kryeministër që ngjan se perditë del para pasqyrës dhe thotë: Madame Bovary c’est moi! Një kryetar opozite të pafuqishëm, që s’bën as për kalë as për gomar. Dhe kemi, mbi të gjitha, një dhunë të përditshme që ushtrohet mbi ne.
Pra, kur vijmë te pyetja: Si shpjegohet kjo dhunë dhe përkrahje për një thyerje xhamash? duhet të kemi parasysh tablonë e plotë të vendit dhe shkarjen e saj në padurim. Kujtoni në varg ikjet dëshpëruese të rinisë sonë. Maskaradën e Valbonës që na vlon në gjak. Kujtoni drejtë spitalet shkollat. T’iu vijnë ndërmend, si të qeshura nëpër dhëmbë, ata shifrat e pensioneve. Heqjen e ndihmës ekonomike për të regjurit. A s’po i ngrihet një altar varfërisë së egër? Një fé e sajuar që bëhet vegël e një pushteti të pamoralshëm?
Pastaj zgjedhjet në lëmin e ekonomisë: mbjellja masive e hashashit, kriminalizimin e një pjesë të popullsisë që shërben si bashkëfajtor. Pandëshkueshmëria Vjedhjet.
Ka plot. Aq plot sa s’mbajmë më. As këtë shpikjen e fundit të pagëzuar si ‘taksa e gopit’. Se miq, të kuptohemi qartë, kjo trashje është e tepërt. Duhet të arrestohen ato që japin ndihmë ekonomike prej 40 mijë lekë të vjetra, me akuzën se e kanë humbur me kohë njerzinë. Jo kush del e mbron për ne të gjithë trashjen e qeverisë.
Dihet se, kërcënimet e bëra pas mesnate janë shenjë frike. Neve po i bashkangjisim një lutje:
Merrjau o Zot durimin shqiptarve!