Që nga mesnata dhe në orët e mëngjesit bora po bie furishëm në qytetet dhe fshatrat e veriut e verilindjes. Sot në Kukës, Peshkopi, Tropojë e Mirditë raportohet për reshje të furishme shoqëruar me ere të fortë. Temperaturat janë zbritur në minus edhe pse jemi në pranverë.
Situata paraqitet problematike në Rrugën e Kombit, në aksin Kukës-Dibër dhe Kukës-Tropojë.
Aksi rrugor Bulqizë-Peshkopi kalohet pa zinxhirë, por me vështirësi për shkak të erës së fortë dhe ngricave.
Edhe aksi Qafë e Buallit-Krastë kalohet pa zinxhirë, por ka prani të ngricave. Ndërkohë, aksi Ura e Çerenecit-Steblevë mund të kalohet pa zinxhirë.
Trashësia e dëborës ka arritur në orët e para të ditës deri në 20 centimetra.