Partia Socialiste kërkon nga organi i akuzës që të thirrë Lulzim Bashën që të dëshmojë jo vetëm për kontratat e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA, por edhe për vepra të tjera penal që rëndojnë mbi të.
Përmes një deklarate për mediat, kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla theksoi se i takon Prokurorisë të thërrasë një orë e më parë Bashën për të dhënë shpjegime të nevojshme si personi kryesor i dyshuar për një sërë veprash penale e për ta zbardhur një orë e më parë këtë skandal të rëndë.
Ai tha se dyshimet e ngritura nga media ndërkombëtare se pas kontratave të lobimit të Partisë Demokratike, fshihen kompani ruse of-shore, janë arsye që duhet të çojnë në ndjekjen penale të Lulzim Bashës.
“Lulzim basha dhe PD duhet të marrin të gjithë përgjegjësinë për financimet e paligjshme në kohën e çadrës së Republikës së Re. Burimet e errëta të këtij financimi ku përfshihen edhe xhepa oligarkësh rusë janë një arsye e pashmangshme që Basha të ndiqet penalisht dhe kjo PD e marrë peng prej tij të ndëshkohet moralisht nga çdo demokrat.”
Ky qëndrim i kreut të grupit parlamentar të socialistëve është përforcuar më tej edhe nga kryeministri Rama, i cili ka postuar në faqen e tij të Facebookut deklaratën e Taulant Ballës.