Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar ndihmën e autoriteteve italiane për sa i përket hetimit të çelur për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroria e Krimeve të rënda, me anë të një letër-porosie të dërguar 3 ditë më parë, i ka kërkuar Prokurorisë së Katanias të gjitha dëshmitë e të arrestuarve në Itali për dosjen “Habilaj”.
Një ndër dëshmitë e kërkuara është edhe ajo e Moisi Habilja, kushuririt të Saimir Tahirit. Prokuroria gjithashtu ka kërkuar edhe dëshminë e të dyshuarit si financier i kësaj bande kriminale, Nazer Seitaj, i cili ishte i arrestuari i vetëm në Shqipëri për këtë dosje, por u ekstradua drejt Italisë disa kohë më parë, duke rënë në kundërshtim me ligjin.
Në letërporosi theksohet fakti se gjatë qëndrimit në paraburgim në vendin tonë, Seiti ka refuzuar të japë shpjegime rreth çështjes, ndaj kërkohet të pyetet nga autoritetet e drejtësisë atje për llogari të hetimit që po zhvillohet ndaj Saimir Tahirit.
Ekstradimi i Seitit shkaktoi përplasje të forta institucionale, madje pati dhe akuza nga opozita se ai u largua për ti kyçur gojën, pasi kishte vendosur të fliste kundër ish-ministrit të Brendshëm.
Para dy javësh, organi i akuzës ka kërkuar ndihmën e shtetit grek, për lëvizjet e Tahirit, përfshirë këtu vendqëndrimet e tij, pagesat e kryera në hotele apo resorte, si edhe takimet e zhvilluara me njerëz atje.
Vetëm pasi të zbatohen këto letërporosi, Krimet e Rënda do të vendosin për fatin e dosjes që konsiderohet si një ndër çështjet më të nxehta, për shkak se i hetuari kryesor është ministri i brendshëm më jetëgjatë në këto 28 vite.
Për momentin, grupi i hetimit, është duke analizuar të dhënat e siguruar nga kompanitë celulare, apo dokumentet e sekuestruara nga institucione të ndryshme.
Hetimet ndaj Saimir Tahirit nisën në tetor të 2017, pas arrestimit të Moisi Habilajt dhe disa bashkëpunëtorëve të tij në Catania.
Pasi prokuroria dështoi të dërgojë prapa hekurave ish-ministrin, për shkak se Kuvendi nuk e miratoi arrestimin e tij, javë më vonë, Tahirit iu ndalua e drejta për të dalë jashtë vendit.
Apeli për Krime të Rënda e prishi vendimin e shkallës së parë duke i hequr masën shtrënguese ish-ministrit nën hetim. Aktualisht çështja në fjalë, ndodhet në gjykatën e Lartë, pasi prokuroria paraqiti rekurs.