(Foto ilustruese)
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të enjten është shkëputur për pak çaste nga seanca plenare për t’iu bashkuar protestës së punëtorëve të kompanisë nënkontraktore të Bypass-it të Fierit dhe Vlorës që po mbahet para Kuvendit, për rrogat e pamarra.
Një nga protestuesit i sqaroi kreut demokrat gjithë problematikën e krijuar, duke marrë edhe premtimin e Bashës për hetim dhe zgjidhje të menjëhershme të kësaj gjëndje të rënduar për këta qindra punëtorë.
Basha bën me dije se mosdhënia e parave është rezultat i korrupsionit. Ai u premtoi protestuesve se kjo gjë do të zgjidhet dhe opozita do të bëjë gjithçka që ata të marrin lekët që shteti u detyrohet.
Basha: Së pari dua t’i përshëndes të gjithë punëtorët, që janë mbledhur sot për herë të pestë. Dua të them se ne e njohim problemin tuaj dhe problemi juaj vjen nga korrupsioni. Kompania ka lënë një garanci nga firma që ka ikur, por sipas informacioneve tona lekët janë. Pagesa nuk kryhet se ka korrupsion. Kontraktori dhe nënkontraktoi fshehin një aferë korruptive, Ju nuk merrni lekët se Edi Rama dhe Damian Gjiknuri janë përfshirë në një aferë dhe ne do bëjmë çdo gjë që kjo të hetohet. Janë dhjetëra telefonata në zyrën e Ramës që nuk e lejojnë për të bërë pagesën, sepse është një aferë e mdhe korruptive.
Punëtorët e kompanisë nënkontraktore të Bypass-it Fier dhe Vlorë, kanë protestuar të enjten para Kuvendit.
Punëtorët e 48 firmave nënkontraktore dhe furnitore që ndërtuan një pjesë të Bypass-it Fier kanë dalë disa herë në protesta.
Janë 600 punonjës të bypass-it të Fierit dhe 350 të bypassit të Vlorës që nuk kanë marrë pagat e 1 viti e gjysmë.
Në gusht të 2017, qeveria njoftoi prishjen e kontrates me kompaninë italiane “Serenisima” për mospërmbushje të detyrimeve dhe rinisjen procedurave të tenderimit. Kjo kompani jo vetëm që la pa përfunduar gjysmën e rrugës, por la edhe një mal me borxhe tek nënkontraktorët.