Kapiteni i Partizanit Idriz Batha dhe mesfushori tjetër Lorenc Trashi, u dënuan nga Komisioni i Disiplinës me 2 ndeshje pezullim për shkak të ofendimit nga zyrtarëve në fundin e takimit. Ky vendim i ka shokuar drejtuesit e Partizanit. Në konferencën e sotme për shtyp, ndryshe nga herët e tjera, drejtori sportiv Olsi Rama ka kërkuar vete te flasë per mediat, pasi trajneri Dalipi e ka kohën të limituar.
“Duke marrë shkas nga një shkresë që ka ardhur nga Komisioni i Disiplinës, pranë Federatës Shqiptare të Futbollit për një dënim ndaj 2 lojtarëve tanë kryesorë, kapitenit Batha dhe Trashit erdha sot këtu që t’i jap kohë Dalipit, që të shkojë të përgatitet se ka shumë punë për të bërë.
S’kam një kapele magjistari, që t’ia jap për të shpikur diçka në ndeshjen e radhës, duke marrë mirëkuptimin tuaj, do të kërkoj ta lëmë Dalipin t’i përvishet punës, bashkë me stafin teknik. Kjo nuk është një çështje sportive tekniko-taktike, por është diçka më shumë se sa vlerat që Partizani përpiqet të shprehi në fushën e lojës. Po mua më mirë, shko mendo bashkë me trajnerët e tjerë, për përgatitjen e ndeshjes me Kukësin.
Mendoni që është një lloj hakmarrje dënimi i 2 futbollistëve të Partizanit, për faktin që iu u pozicionuat kundër FSHF-së?
Unë akoma nuk kam kuptuar arsyet dhe shkaqet e këtij dënimi. Që jepet 2 ditë përpara ndeshjes. Mesa kemi arritur të komunikojmë, ka të bëjë me një episod pas ndeshjes, ndërkohë që ka pasur një sërë episodesh gjatë këtyre ndeshjeve që kanë treguar njëanshmëri në disfavor të Partizanit.
Unë mendoj që jetojmë në një vend demokratik, ku të gjithë kanë të drejtë të shprehin preferencat në raport me vendimmarrjen, për arsyen se Federata organizon Superligën dhe ka shumë vendimmarrje në mbarëvajtjen e kompeticionit. E them në mënyrë të hapur që Partizani ka mbajtur deri tani një qëndrim shumë korrekt pavarësisht pasojave që ka vuajtur. Ky është një kompeticion sportiv në të cilin harxhohet një shumë e konsiderueshme lekësh.
Është një dëm ekonomik që i bëhet klubit në të gjitha drejtimet. Një situatë e disfavorshme për futbollin shqiptar duke pasur parasysh raportin e 2 inspektorëve të UEFA-s në lidhje me Skënderbeun. Ne përballemi me një realitet që përsëri tenton të falsifikojë kampionatin. Jemi një klub që respektojmë të gjitha standarde. Jemi një klub që jemi interesuar më shumë se kurrë për disiplinën, qoftë brenda klubit apo edhe në fushë.
E kemi treguar me vepra që kemi marrë masa ndaj lojtarëve tanë, duke mos i fshehur edhe gjërat që kemi brenda shtëpisë, vetëm e vetëm për të rritur nivelin e shfaqes sportive. Ne kështu e shikojmë suksesin që të arrihet nëpërmjet disiplinës dhe rezultateve. Nuk marrim të njëjtën monedhë në kthim. Një dënim i dhënë përpara 2 ndeshjeve tona më të rëndësishëm, me Kukësin dhe me Skënderbeun” – u shpreh drejtori i Partizanit, Olsi Rama.
A do të apelohet ky vendim i Disiplinës në mënyrë zyrtare?
Ja, po e kontestoj unë këtë vendimin e federatës, çfarë fitova. Zyrtarisht është një dënim prej dy ndeshjesh i futbollistëve tanë, i paapelueshëm. E vetmja gjë që mund të bëjmë është ta konvertojmë gjysmën e dënimit, duke shlyer faturën financiare, dhe Trashin e Bathën t’i kemi për sfidën ndaj Skënderbeut.
Për Kukësin është e pamundur. Unë nuk besoj se lojtarët tanë kanë gabuar deri në atë pikë sa mendon federata. Kam marrë informacione edhe pas ndeshjes së fundit se gjyqtari anësor ka ofenduar në mënyrë të vazhdueshme Trashin dhe Bathën. Kjo ka ndodhur pas ndeshjes.
Të gjithë e panë që pati një konflikt, kur Trashi mori kartonin e verdhë, sepse kontestoi një vendim të arbitrit. Unë nuk jam dakord që të kundërshtohen vendimet e arbitrit në fushë, çështja është që lojtarët ndiejnë presionin dhe situatën në të cilën janë, ku sulmohen në fushën e lojës jo vetëm nga kundërshtarët. Pa dashur që t’i justifikoj, sjellja e gjyqtarit anësor është e patolerueshme. Ai i ka ofenduar në mënyrë të vazhdueshme.
Pse nuk e konvertoni edhe gjysmën e dënimit të Starovës me faturë financiare?
Starova është dënuar 8 javë. Ne menduam të mos e bëjmë këtë, sepse në rolin e trajnerit në fushë dhe drejtuesit të skuadrës, veprimi i tij në të dyja ndeshjet është i patolerueshëm. Ne e dimë situatën ku jemi, ndaj veprimet e tij nxitin gjëra të padëshirueshme edhe te lojtarët në fushë.
Deri tani jemi të kënaqur me drejtimin e Dalipit në stol. Starova jep kontributin e vet. Po punojnë shumë mirë si staf për të dhënë ato mesazhe që duhet të marrin lojtarët. Të përqendrohemi te situata në fushë, sepse aty duhet të shpikim diçka, se çdo të bëjmë në ndeshjen e radhës.
A vazhdoni të keni një çështje të hapur për titullin e hequr Skënderbeut nga Etika?
Në radhë të parë, më lejoni ta shpreh se ndiej keqardhje për dënimin e kërkuar nga UEFA, sepse shkon në dëm të futbollit shqiptar. Eshtë një pasqyrim i shëmtuar i futbollit tonë në arenën ndërkombëtare. Fatkeqësisht, kjo është pasqyra e futbollit tonë.
Megjithatë, unë ndoqa këtë listën e ndeshjeve të dyshuara për të trukuara nga Skënderbeu, që ishin investiguar nga ekspertët e UEFA-s, dhe nuk e pashë askund emrin e Partizanit. Ne jemi klubi model në këtë drejtim, sepse luajmë me rregullat e lojës. Këto rregulla prishen nga faktorët e tretë, pastaj.
Çështja e titullit është një kapitull i hapur për ne. Mendojmë se përpos përfitimeve financiare të Skënderbeut në kurriz të kampionatit dhe kundërshtarit, ne e kemi me meritë atë titull. Që në fillim federata duhet të kishte marrë një vendim të drejtë. Ajo ka aplikuar gabimisht, mbase edhe qëllimisht, duke i hequr titullin Skënderbeut, por vetëm 12 pikë në sezonin pasardhës, minimalen.
12 pikë është dënimi minimal që jepet në rastin e trukimeve. Në rast se do të aplikohej rregullorja, këto 12 pikë duhej t’i ishin hequr nga kampionati i trukuar dhe automatikisht, Partizani renditej i pari dhe dilte kampion. Arsyja pse janë hequr pikët në kampionatin pasardhës, që nuk kanë ndikuar në të, nuk e shpjegoj dot. Ky është aplikim i një rregulloreje sipas standarteve alla federatë.
A mendoni se vetëm Skënderbeu trukon në kampionatin shqiptar?
Më lejoni të bëj një parantezë. Unë uroj që një pjesë e madhe e atyre që thuhen të mos jenë të vërteta. Këto janë investigime, UEFA punon shumë ngushtë me të gjithë ekspertët e Federbetit, i ndjekin dhe i monitorojnë ndeshjet. Shpresoj të mos jetë ajo pasqyra.
Në këto pak muaj që jam pjesë aktive e futbollit në Shqipëri, vë re mangësi të shumta në aspektin e profesionalizmit dhe të trajtimit të çështjeve edhe nga ana e federatës. Vërej dënime të çuditshme në raport me klubin e Partizanit, që aplikohen me dy standate në raport me klubet e tjera.
Kjo reflektohet edhe në gjykim. Ju vetë e keni parë që na janë mohuar gola të rregullt, na janë dhënë penallti kundër. Ne kemi luajtur ndeshjen ditën mbas Tiranës në një terren të rënduar ndaj Laçit, që praktikisht është në limitet e tolerancës.
Ne e bëjmë këtë me dëshirën e mirë për të mos u bërë bisht detyrimeve si klub, por federata e di shumë mirë që kemi një akord për stadiumin, ndaj ndeshjet e Tiranës dhe Partizanit nuk duhet të vendosen në një ditë. Ne vihemi para faktit të kryer, që duhet të luajmë ditën e shtunë.
Përgjigjia e federatës është: zgjidheni ju me Tiranën. Pra, ne duhet të hyjmë edhe në konflikt me Tiranën dhe pastaj të luajmë të nesërmen në një terren të rënduar. Në rastin më dashamirës, këto sjellje të federatës janë mungesë profesionalizmi i theksuar. Në rastin më të keq, nxirreni vetë përfundimin.
Çështja e tifozëve a është zgjidhur? Po objektivi “Europë”, a e shpëton sezonin?
Ne jemi vetëm një pikë larg zonës së “Europa League”. Jemi këtu ku jemi dhe nuk po them se është një sezon i suksesshëm i Partizanit. Eshtë fillesa e ndërtimit të diçkaje, që po përpiqemi ta bëjmë sa më afatgjatë. Ajo që më intereson është se skuadra po kthehet te loja e mirë. Këtë e tregoi edhe në sfidën e fundit ndaj Flamurtarit.
Problemi i tifozëve? Vetë jam munduar që ta adresoj, sepse e shoh të papranueshme që shkallët e stadiumit janë bosh. E kam thënë se stadiumet janë boshatisur, ngaqë tifozët nuk kanë besim te sistemi i futbollit tonë. Në momentin që ata nuk kanë besim te sistemi, nuk duan të merren në lojë nga rezultatet e fabrikuara në fushë. Ky është problemi më i madh.
Ne kemi tifozëri të zjarrtë, që dëshiron ta mbështesë gjithnjë Partizanin, ndaj po përpiqemi t’u japim atë ekip që meritojnë. Në gjithë këtë polemikë me policinë nuk kemi pasur në asnjë moment mbështetjen e federatës. Mbase kanë qenë të zënë me zgjedhjet.
Kanë marrë përsipër mbarëvajtjen e kampionatit dhe janë ata përgjegjësit kryesorë në këtë aspekt. Ne po mundohemi të gjejmë gjuhën e përbashkët me grupimin e tifozëve dhe policinë, në mënyrë që ata të kthehen dhe të mbështesin skuadrën.
A jeni i kënaqur me merkaton e janarit?
Jam i kënaqur me mbarëvajtjen e ekipit, me seriozitetin në stërvitje, me cilësitë individuale të lojtarëve. I kam lënë në dorë të stafit teknik që t’i përgatisin, t’i bëjnë pjesë të ekipit. Do të shihni që edhe lojtarët e aktivizuar pak do të japin kontributin e tyre.
Burimi: Shqiptarja.com