Harrojini shampot dhe produktet që pretendojnë se mund t’i bëjnë flokët të rriten më shpejt. Eksperti për rënien e flokëve, Iain Sallis, thotë se nuk mund t’i bëni kurrë qelizat e flokëve të rriten me shpejt se natyralisht. Ai shton se nëse nuk keni lindur me gjene të mira, duhet thjesht të pranoni ritmin natyral të rritjes së flokëve.
Kjo nuk do të thotë se nuk ka shpresë, – ju mund të jeni duke e penguar ose duke e ngadalësuar rritjen e flokëve pa dashje për shkak të dietës që ndiqni. Sallis thotë se flokët duhen trajtuar njësoj si rrobat dhe bizhuteritë e shtrenjta.
“Nëse një fustan mëndafshi nuk do ta lanit kurrë në lavatriçe me 90 gradë, nuk mund të abuzoni me flokët tuaja dhe të prisni të duken si Rapunzel,” – thotë ai.
Nëse dëshironi të maksimizoni potencialin e rritjes së flokëve, duhet pasur kujdes me dietën, trajtimin e skalpit dhe stilimin. Kur ka mungesë vitaminash, mineralesh dhe proteinash flokët tuaja do të rriten shumë ngadalë. Që ato të rriten në maksimum dhe të shëndetshëm, nevojitet një dietë e pasur me proteina dhe hekur. Sallis sugjeron mishin e kuq, peshkun e yndyrshëm dhe vezët, pasi janë fantastike për rritjen e flokëve për shkak të amino acideve me përmbajtje të lartë sulfuri. Përsa i përket ushqimeve me përmbajtje hekuri, Sallis thotë se duhet të konsumohen me stomakun bosh pasi shumë ushqime të tjera dhe pije (përfshirë kafen) ndërveprojnë me to.
Kujdesi për skalpin është thelbësor. Inflamacioni në të shkakton humbjen e flokëve ndaj skalpi duhet pastruar me kujdes me produkte pa irritantë. Eksperti Iain Sallis thotë se nuk është e vërtetë që po t’i lash flokët shpesh, thahen.
“Kjo është një mit. Lajini flokët rregullisht sepse nëse skalpi është i pastër gjithë kohës keni kryer gjysmën e punës,”- thotë ai.
Për skalp të ndjeshëm ai sugjeron shampo me formulë të posaçme për skalp problematik, pa aromë dhe pa ngjyrë.
Për sa i përket stilimit, ai thotë se është e vërtetë që duhet të mbrohen nga nxehtësia, mos të krihen kur janë të lagura dhe të shmangim stilimet e tepërta. Megjithatë kjo është një mënyrë jetese dhe Sallis nuk i kërkon njeriu të heqë dorë nga tharëset, pjastrat dhe mashat.
“Kur përdorni tharësen, mundohuni mos ta mbani të fiksuar në një seksion, dhe mos i krihni flokët ndërkohë që po i thani,” – sugjeron Sallis ndërsa shton se krëhërat prej druri janë më mbrojtëse ndaj flokëve se ato prej hekuri apo plastikë.
Flokët nuk do të bëhen të gjatë dhe të fortë brenda natës. Nëse mbajmë dietën e duhur, pastrojmë skalpin dhe i stilojmë flokët me sa më pak nxehtësi, do të arrini rezultatet e dëshiruara shumë shpejt./Opinion.al