Shqipëria konsiderohet shpeshherë si një prej vendeve më të varfra të Europës, të paktën sa i përket pasurisë familjare.
Kjo gjë, merr edhe më shumë nuanca po ta shohim në terma të fuqisë blerëse, pra jo në terma absolutë.
Tregu imobiliar është një ndër matësit më të mirë të mirëqenies në këtë drejtim, pasi tregon se sa mjaftueshmëri blerëse kanë realisht shqiptarët, duke siguruar kështu jo vetëm jetesën e tyre nëpërmjet një banese, por duke siguruar edhe një aset me mjaft vlerë.
“Scan” ka bërë llogaritjet në bazë të shifrave zyrtare dhe raporteve ndërkombëtare për të zbuluar se sa vite i duhen një familje shqiptare për të blerë një shtëpi. Fillimisht, çdo llogaritje është bërë në terma mesatarë, pra paga mesatare, kursimi mesatar mbi pagën dhe çmimi mesatar i banesave në Shqipëri.
Gjithashtu, të gjitha llogaritë janë bërë me një familje të re, pra një çift ku të dy personat kanë të ardhura dhe kursejnë nga paga e tyre. Paga mesatare neto në Shqipëri fiksohet në 347 euro.
Norma e kursimit ndërkohë, sipas raportit të fundit të bankës botërore fiksohet në 27% të të ardhurave. Kjo do të thotë se një shqiptar mesatar kursen në muaj 94 euro, dhe në vit 1128 euro.
Për një çift, kursimi shkon në 2256 euro në vit. Të dhënat e fundit në dispozicion sa i përket çmimit të shit-blerjeve të banesave, nga Enti Kombëtar i Banesave, flasin për një çmim mesatar prej 56 mijë lekësh për metër katror në të 12 qarqet e vendit, me Tiranën ku çmimi fiksohet në 89 mijë lekë për metër katror dhe me Beratin në 41 mijë lekë për metër katror.
Kjo përkthehet në 420 euro për metër katror, pra 42 mijë euro për një banesë 100 metër katror. Pra, me një kursim mesatar prej 2256 euro në vit, një çifti shqiptar i duhen plot 18.6 vite për të blerë një apartament, nëse kursen 27% të të ardhurave nga pagat.
Në rast se kursimi do të ishte vetëm 10% e pagës, atëherë do të duheshin plot 50.4 vite. Në të ardhurat e një çifti mesatar shqiptarësh nuk merren parasysh burimet alternative të të ardhurave, si huamarrja, remitancat, pasuria e trashëguar, etj. /Tv Scan/