Pas deklaratave të ministrit të jashtëm grek Niko Kotzias se është arritur një marrëveshje për 12 milje det që do të përfitojë shteti fqinj nga Shqipëria ka ardhur edhe reagimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.
Në një deklaratë për mediat kjo ministri sqaron se:
Duke marrë shkas nga reagimet e sotme të pa bazuara në lidhje me procesin e diskutimeve në tërësi më Greqinë, e më posaçërisht për çështjen e delimitimit të hapësirave detare, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dëshiron të sqaroj opinionin publik se:
Delimitimi i hapësirave detare është në interes të të dy vendeve si për sa i përket përcaktimit përfundimtar të kufijve të ushtrimit të sovranitetit dhe të drejtave sovrane në këto hapësira, po ashtu në drejtim të shfrytëzimit ekonomik të tyre.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen e nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2009. Në mungesë të një marrëveshje mes tyre, që prej vitit 2013 palët kanë kryer një sërë diskutimesh ekploratore për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për këtë çështje.
Në këto diskutime qëndrimi i palëkundur i palës shqiptare ka qenë dhe mbetet lidhja e një marrëveshjeje për delimitimin e hapësirave detare bazuar në parimet e Konventës për të Drejtën e Detit ku të dy shtetet janë palë, praktikën ndërkombëtare, vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese dhe legjislacionin e brendshëm që do të mundësojë një ndarje të drejtë dhe të pranueshme për të dy palët.
Është ky qëndrim i palëkundshëm pika e nisjes për ekspertët që do të negociojnë me palën greke për këtë çështje. Çdo interpretim tjetër nga aktorët politikë është qëndrim dashakeq që synon të relativizojë, apo më keq, mohojë gabimet trashanike të së shkuarës.