Lideri radikal serb, Vojislav Sheshel ka akuzuar shqiptarët për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç. I njohur për qëndrimet e tij radikale ka thënë se në vrasjen e Ivanoviç mund të jetë e përfshirë një organizatë shqiptare.
“Ekziston mundësia e madhe që ndërhyrje nga jashtë të jetë përfshirë në vrasjen e Ivanoviç. Mund të jetë një organizatë shqiptare që e ka bërë këtë, si pjesë e përpjekjeve për të shfuqizuar Gjykatën Speciale për krime lufte të kryera nga UÇK”, ka thënë Sheshel.
Lideri i serbëve në Kosovë Oliver Ivanoviç u vra dje para zyrës së tij në Mitrovicë. Ai u dërgua i plagosur në spital, por nuk mbijetoi për shkak të plagëve të shumta.
Ultranacionalisti serb, Vojislav Sheshel njihet për deklaratat e tij kundër shqiptarëve.Vite më parë ai u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjatë luftrave të Ballkanit në vitet ’90, por nuk u dënua nga Haga.