Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha në emisionin Fakt në SYRI.net se shqiptarët duhet të vrasin iluzionet që situata mund të ndryshojë pa një reagim të të gjithëve.
Drejtuesi i emisionit, gazetari Çim Peka, pyeti Bashën nëse opozita do të kalojë gardhin në protestën e 27 janarit, nëse Syri.net publikon fakte dhe prova se Kryeministri Rama dhe familja e tij janë të implikuar drejtpërdrejtë në trafikun e drogës. Kreu i PD-së tha se gardhet nuk ekzistojnë, ato janë në mendjet tona.
“Gardhi është në mendjet tona, gardhi që duhet të kalojnë shqiptarët është që të vrasin iluzionet që kjo situatë nuk mund të ndryshojë pa një reagim të të gjithëve. Edi Rama ka humbur çdo të drejtë që të qeverisë këtë vend, Edi Rama është në krahun e krimit”, tha Basha.
Kreu demokrat shprehu bindjen se protesta e 27 janarit do të jetë një nga protestat më të fuqishme që kanë parë ndonjëherë shqiptarët.
“Do të jetë një protestë masive popullore, do të jetë një grusht i fuqishëm për banditët në qeveri, do të jetë mesazhi që shqiptarët nuk e pranojnë me Edi Ramën dhe shpurën e tij në qeverisje”, tha ai.
Në vijim ai shtoi se i është përkushtuar aksionit opozitar me mish dhe me shpirt.
“Në të gjitha rastet unë dhe PD kemi qëndruar fuqishëm në të gjitha kauzat, qoftë për dekriminalizimin, qoftë për drogën ashtu edhe për zgjedhjet”, theksoi ai.
Duke iu rikthyer marrëveshjes së 18 majit me kryeministrin Rama, Basha tha se akti i marrëveshjes ishte i detyruar nga ndërkombëtarët.
“Ne arritëm të ndërgjegjësonim ndërkombëtarët se zgjedhjet nuk bëheshin me krimin dhe drogën, por jo t’i bindnim se ato nuk mund të bëheshin me Edi Ramën. Amerikanët na dhanë mbështetje dhe garanci. Mos kujtoni se hapja e dosjes së Tahirit është rastësi. Sot orët e narkoshtetit po numërohen mbrapsht. Asnjë pikë djersë e demokratëve nuk ka shkuar dhe nuk do të shkojë dëm”, tha Basha.