Pranë qytetërimit antik të Bylisit, mes kodrave të Mallakastrës, me një popullsi prej 12 mijë banorësh frymon qyteti i Ballshit.
Dikur një nyjë kalimi për në jug të vendit, qendër e të gjithë zonës, sot Ballshi duket një qytet i lënë në harresë, por që nuk ka shumë forcë të bërtasë.
Vëmendja mbi këtë qytet të vogël naftëtarësh dhe rafinerinë e shumëdiskutuar të tij, u rikthye në fund të dhjetorit, kur disa nga punëtorët të indinjuar për vonesat e pagesave, u nisën drejt kryeqytetit.
Në prag të festave të fundvitit, takimi i sindiktave me ministrin Gjiknuri, arriti të prodhonte konsensuin, që çoi në sigurimin e pagesës së muajit nëntor për punëtorët.
Por tashmë nis një kapitull i ri.
Nëse dikur, kush hynte në qytet ndjente në ajër erën e squfurit apo të naftës, sot kjo aromë nuk ndjehet më. Rafineria e ka ndalur punën.
Dera është e mbyllur dhe brenda saj shihet vetëm roja. Ndjehen tek -tuk lëvizje të punonjësve dispeçer, të cilët ndonëse nuk paguhen vazhdojnë ta ruajnë uzinën dhe të shkojnë në punë, edhe pse rafineria aktualisht është e stakuar.
Çdo zjarr apo shpërthim brenda saj do të ishte fatal. Ata janë mësuar ta ruajnë uzinën, si shpirtin e qytetit, ashtu sikurse edhe në vitin e mbrapshtë ’97 e mbrojtën me armë në dorë.
Por sot Mallakastriotët ndjehen të zhgënjer. Shtet apo privat nuk ka rëndësi për ta. Tashmë naftën, pasurinë më të madhe po ua marrin çdo ditë nga nëntoka, ndërsa fati i tyre dhe i familjeve, është ende i mjegullt.
Nuk është aspak ratësi. I pari që pyesim dhe i drejtojmë mikrofonin punon në uzinë. Kështu e quajnë ata rafinerinë. Dhe në fakt, 4 nga 5 njerëzit, që ne rastësisht pyetëm në rrugët e qytetit ishin punonjës të uzinës. Njerëz, që në fakt gjithë jetën e kanë kaluar në rafineri, që me hapjen e saj në vitin 1978.
Në rrugët e qytetit ka pak lëvizje, pak njerëz të cilën bëjnë xhiron e përditshme siç e quajnë ata dhe teksa presin që rafineria të rihapet e të nisë punën, përpiqen të na shpjegojnë se çfarë po ndodh aty.
Privatizimet, konçensionet, pagesat, borderotë janë tashmë terma të njohura për të gjithë, ndonëse në fakt shkaku i bllokimit të punës është diku tjetër. Rafineria nuk ka lëndë të parë dhe me sa duket nuk është në gjendje ta blejë.
Por ndërsa qytetarët përpiqen të mbajnë zemërimin i zbehur nga shpresa në këto ditë të para të janarit, Kryetari i bashkisë Agron Kapllanaj shkon edhe më tej, kur shprehet se kjo situatë favorizon kompani të tjera private në fushën e naftës.
Ndonëse nuk përmend emra konkretë, Kryetari i Bashkisë pohon se pasojat sociale tqë qytetit në rast të mbylljes së rafinerisë do të jenë të rënda, aq më tepër kur sqaron se i gjithë sistemi i furnizimit të qytetit me ujë të pijshëm komandohet nga rafineria.
2018 ka nisur me pikëpyetje dhe mosbesim tek banorët e Ballshit. Çfarë do të ndodhë me fatin e tyre?
Për këta banorë dhe fëmijët e tyre nuk ka shumë rëndësi nëse rafineria është e shtetit apo e privatit. Nuk ka shumë rëndësi nëse presidenti i kompanisë është mik i të majtës apo të djathtës.
Ata nuk i njohin shumë termat financiarë dhe makro-ekonomikë, ndonëse janë përpjekur të mësojnë se ç’po ndodh me borxhet e firmës, përse rafineria nuk po investohet, kush qëndron pas saj, si është e mundur që nafta del me humbje, me qëllimin e vetëm, që në fund të kuptojnë cili do të jetë fati i tyre.
Por, Mallakastriotët nuk e kanë harruar se dy vjet më parë, në prag të vitit elektoral Kryeministri dhe stafi i tij premtuan rilindjen e industrisë së naftës dhe ky është fakt. / Manjola Bregasi