Zonja Leni ka ardhur në “E Diela Shqiptare” në rubrikën “Ka një mesazh për ty” për t’i dhënë një mesazh djalit të saj të madh.
Leni është nga Lushnja dhe ka tre fëmijë të cilët jetojnë në Greqi, ku edhe punojnë. Para një viti, Lenit i ka vdekur i shoqi dhe tani jeton vetëm. Për shkak se bashkëshorti ishte oficer, ata detyroheshin që shpesh të zhvendoseshin nga një qytet në tjetrin. Në Vlorë, Adi, djali i madh i familjes, regjistrohet në një shkollë të mesme për trompë, por profesorët e patën vlerësuar shumë, për shkak se këndonte bukur. Në moshën 19-vjeçare, Adi shkoi në Greqi, ku edhe punonte, por edhe ndiqte pasionin e tij për këngën.
“Në Dhjetor të 2006-s u bë një koncert, që ishin zërat e rinj të Europës. Mori pjesë edhe Adi. E merr në telefon të atin se ky nuk kishte ardhur, kishte katër, pesë vjet që nuk kishte ardhur në Shqipëri. I thotë të atit që dua një këngë shqiptare që të ma dërgosh ti”.
Bashkëshorti i Lenit i dërgoi një disk me këngët e Ardit Gjebreas dhe Adi zgjodhi për të kënduar “Kur braktis atë që do”. Edhe pse i pambështetur nga ambasada shqiptare dhe media, Adi doli shumë mirë në këtë koncert.
“Doli shumë mirë zuri vend të parë”.
Por sipas Lenit, Adi nuk ka pasur shumë fat në jetë. Ai u martua me një greke, me të cilën më pas u nda. Përveç kësaj është detyruar të rrisë vajzën i vetëm.
“Vajzën pesë vjeçe e ka rritur vetë. Sot është 17 vjeçe. Edhe ka pasur shumë halle dhe nuk mundi të vazhdonte. Është martuar sërish.”
Fillimisht, Adi ka punuar në Teatrin e Operas në Athinë, por për shkak të krizës ekonomike u detyrua të punojë çdo lloj pune të mundshme që të rriste vajzën dhe të mbante familjen. Ai detyrohej të këndonte në punë tashmë, për shkak se nuk e kishte mundësinë të këndonte në skenë.
Edhe zonja Leni së bashku me bashkëshortin kishin qenë në Greqi për pesë vite, por ishin kthyer sërish, kësaj here në Lushnje, ku u sëmur edhe burri i Lenit. Adi i ndihmonte herë pas here me para.
“Adi nuk kishte ditë, në tetë vjet, ku të mos binte 200 – 250 euro babait. I binte dhe ilaçet. Punonte natë e ditë për të atin. I ati e ka pasur shumë peng. Më thoshte çoje njëherë te Adit që ta dëgjoj në një skenë të madhe. Mirëpo, unë nuk e lija se ai ishte i paralizuar. Pas një viti e gjysmë vendosa të vij, të çoj amanetin në vend”.
Adi pranoi ftesën e “Kam një mesazh për ty” dhe ndodhet në studion e “E Diela Shqiptare”.
Arditi – Sa vite keni që jeni në Athinë dhe jetoni atje?
Adi – Kam gati 27 vjet.
Arditi – Çfarë bëre në Greqi?
Adi – Vazhdova studimet dhe njëherë nga e para se nuk na njiheshe fare shkolla e mesme.
Arditi – Ndërkohë që studioje si ia bëje për të jetuar?
Adi – Punoja nga lloj – lloj punësh që nuk mund ta marrë mendja fare. Çohesha në mëngjes shkarkoja një furgon me thasë. Pastaj punoja nga ora 8 e mëngjesit deri në 4 e pasdites prapë shkarkoja thasë në një magazinë. Kështu ishin punët atëherë, nuk bëje dot gjë tjetër. Në shkollë shkoja pasdite.
Arditi – Për çfarë studiove?
Adi – Fillova për trompë.
Në Greqi, Adi është njohur me një nga baritonët më të mirë në botë, Kosta Paskalin dhe me gruan e tij. Ata e kishin dëgjuar Adin duke kënduar në një nga lokalet ku ai punonte si kamarier. Ata i dhanë mundësinë që të studionte pa pagesë. Aty, ai mori diplomën për kanto si tenor.
I pyetur nga Ardit Gjebra nëse e dinte kush e ka ftuar, Adi nuk ka një ide.
Adi – Nga Greqia nuk kam njeri. Vëllezërit e mi, s’besoj.
Në ekranin ndarës shfaqet zonja Leni.
Adi – Dhe këtë s’e prisja.
Leni – Adi, të keqen mami. Dëgjo mamin! Mami kam ardhur këtu për ty që të vazhdosh zanatin tënd. Dhe mos shiko pak lekë, por ti je lodhur gjithë jetën, prandaj ti e ke në shpirt këngën, vazhdoje dhe mos u demoralizo. Mos thuaj që nuk do eci në jetë se jeta ecën përpara të keqen mami. Mbaj mend fjalët e babit, që e kishte pikë të dobët që ti të vazhdoje këngën. Se e meriton. Meriton shumë gjëra. Këtë dua mami prej teje dhe dua të marrësh pjesë në edicione kudo që të jenë, vetëm që të ecësh në zanatin tënd, me zërin tënd që ke, se ta ka falur Zoti. Që të plotësosh dëshirën time dhe të babit.
Adi – Nuk e di. Besoj se kjo ishte e fundit. Nuk e prisja. Ja premtoj mamasë që nuk e lë atë gjë se është një gjë që nuk e kam lënë kurrë dhe s’kam për ta lënë. Sado që jeta më ka kthyer mbrapa për çdo gjë, por edhe kam ca detyrime për njerëzit që kam afër që s’i lemë dot. Tani këngën e vazhdoj sa kam mundësi se nuk ke dhe mundësi në atë vend që je, për shembull Greqia nuk ka shumë mënyra që të provosh diçka më tepër ose të vazhdosh diçka më tepër. Por prapë ia premtoj që nuk e lë. S’kam për ta lënë kurrë.
“E dini që kur merret premtimi dhe realizohet gjithçka, ju mund të përqafoni djalin tuaj”, e përmbyll Ardit Gjebrea duke i lënë mundësinë që Leni të përqafojë Adin.
Më pas, Adi së bashku dhe Arditin këndojnë këngën “Kur braktis atë që do” duke përmbushur kështu edhe amanetin e bashkëshortit të zonjës Leni./tvklan.al