Kryen marrëdhënie seksuale me dhunë me një vajzë të mitur dhe tenton të trafikojë motrën e saj të madhe.
Pas një hetimi disamujor, policia ka vënë në pranga autorin e dyshuar, Aliosha Emini, 49 vjeç, banues në Kuçovë.
Ai akuzohet se ka përdhunuar 13-vjeçaren B. Guri, si dhe ka tentuar të trafikojë jashtë vendit me qëllim shfrytëzimin për prostitucion motrën e saj, A. Guri, 19 vjeçe. Ndaj 49-vjeçarit, që sipas Policisë njihet si person me probleme mendore, do të rëndojë akuza “trafikim i të rriturve” dhe “marrëdhënie seksuale me të mitur”.
Emini, sipas dëshmisë së nënës së dy vajzave, vazhdimisht përndiqte vajzat e saj dhe për këtë kishin bërë dhe disa herë kallëzim në polici, por 49-vjeçari, pasi shoqërohej në komisariat, lihej sërish i lirë.
“Kishim dijeni që i ngacmonte vajzat dhe kemi bërë disa herë kallëzim në polici, por lihej i lirë më pas”, shprehet Rajmonda Guri. Për përdhunimin e vajzës së saj të vogël, ajo tregon se fillimisht e mitura nuk kishte treguar në shtëpi për atë që kishte ndodhur.
“Vajza e vogël erdhi e shqetësuar në shtëpi dhe nuk fliste. Ajo nuk tregoi për abuzimin, se ishte në gjendje të rëndë. Vajza nuk e hapte gojën, e gjeta të mbledhur. Vetëm pastaj kur erdhi burri shkuan të dy në polici”, thotë e ëma.
Përdhunimi i vajzës së mitur ka ndodhur disa muaj më parë, ku Emini, i cili njihet me emrin “Losha”, e ka detyruar atë me anë të forcës që t’i nënshtrohet.
Vajza fillimisht e ka fshehur një fakt të tillë, ndërsa më pas u ka treguar prindërve për përdhunimin, duke thënë se nuk e njihte agresorin. Pasi ka mësuar të vërtetën i ati i saj ka bërë kallëzim në polici, ndërkohë që pas një pune disamujore hetimore nga ana e policisë u arrit identifikimi i autorit dhe arrestimi i tij
Ndërsa gjyshi i dy vajzave, duke folur për ngjarjen e ndodhur, shprehet se familja e djalit të tij ndodhet në gjendje të vështirë ekonomike dhe herë pas here detyrohet që me pensionin që merr t’i ndihmojë për të siguruar bukën e gojës.
Por, nga ana tjetër, ai bën me faj dhe mbesat e tij për atë që ka ndodhur, duke thënë se ato nuk ia dëgjojnë fjalën. “Nuk janë të hajrit, s’më pyesin. Kur s’janë të hajrit, i bëj lanet”, shprehet i moshuari.
Burimi: Panorama