Pesë persona, midis të cilëve dy shqiptarë, kanë përfunduar në prangat e policisë italiane.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kanë arritur të bllokojnë një sasi rreth 42 kilogramë marijuanë, me një fitim që mund të shkonte deri në 420 mijë euro.
Pikërisht në një qendër tregtare kishin lënë të takoheshin italianët Pietro Buzzerio, 53 vjeç, Domenico Spano, 42 vjeç dhe Francesco Angelini, 39 vjeç me dy shqiptarët. Ata ndodheshin të tre në makinën tip “Peugeot 308”, ku në bagazh kishin fshehur 42 kilogramë lëndë narkotike.
Në qendrën tregtare Fiume Veneto i prisnin Gramoz Ismailaj 28 vjeç nga Vlora dhe Arkid Saliu 28 vjeç nga Shijaku. Aty do të kryhej shkëmbimi i lëndës narkotike.
Dy djemtë shqiptarë kishin ardhur me dy makina, një “Jeep” të marrë me qira dhe një makinë sportive “Audi RS6” me targa të Republikës Çeke, e cila kushton 100 mijë euro dhe mund të shkojë deri në 300 kilometra në orë duke bërë të vështirë ta ndjekësh nga pas.
Fillimisht, policia u ka penguar rrugën për t’ua bërë të pamundur arratisjen me makina.
Mësohet se Ismailaj është munduar të arratiset. Ai ka vrapuar për afërsisht 400 metra, por është ndjekur nga një agjent i policisë, i cili më pas e arrestoi.
Autoritetet sekuestruan të tre makinat, telefonat celularë të të dyshuarve dhe 1,050 euro.
Sipas mediave lokale, ngarkesa e dorëzuar në parkingun e qendrës tregtare është me vlerë rreth 420 mijë euro, duke llogaritur se marijuana me pakicë shitet me 10 euro për gram.
Sipas mediave lokale, marijuana ka kaluar përmes rrugëve të Ballkanit, për të arritur deri në Pordenone që ndodhet në Italinë veriore.
Pordenone është një fazë e ndërmjetme e trafikimit të drogës, e cila më pas niset shesheve kryesore të Italisë veriore./abcnews.al