Një ditë pasi u zbulua se kishte udhëtuar me ish – ministrin Saimir Tahiri me Audin A8, në kohën kur ky automjet përdorej nga Habilajt, ish- zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea ka reaguar për këtë çështje.
Në një prononcim të shkurtër për gazetarët, ajo tha se ndihet e qetë dhe se është e gatshme të shkojë në prokurori në çdo moment.
“Do të shkoj të përgjigjem në prokurori dhe jam shumë e qetë”, the Gjebrea.
Të enjten, burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda bënë të ditur se Elona Gjebrea ka udhëtuar me këtë makinë në Gusht të vitit 2014.
Tv Klan ka parë fashikullin në të cilin saktësohet se ish–zëvendësministrja e Brendshme ka udhëtuar më 8 Gusht të vitit 2014 nga porti Sarandës për në Greqi në shoqërinë e shefit të saj në atë kohë, Saimir Tahirit. Deputetja e Partisë Socialiste, pritet të pyetet nga Prokuroria për këtë episod që e lidh atë me makinën e ish – ministrit.