Prokuroria për Krimet e Rënda ka lëshuar urdhër-arreste për tre ish-drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët dyshohet se janë larguar nga Shqipëria.
Gazetari i kronikës në TV Klan, Dashamir Biçaku, tha sonte përmes një lidhjeje për emisionin ‘Opinion’, se ekziston një informacion ende i pakonfirmuar zyertarisht se një nga të kërkuarit është larguar nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Muriqanit.
Në një ndërhyrje të dytë për emisionin ‘Opinion’, ai tha se njëri prej tyre është larguar nga Shqipëria nga aeroporti i Rinasit më datën 9 Nëntor drejt Milanos.
Ish-zyrtari i dytë është larguar drejt Malit të Zi më 29 Gusht nga dogana e Muriqanit me një makinë me targa AA 808 OB dhe ish-zyrtari i tretë u largua përmes Kakavijes më 18 Nëntor me makinë me targa AA 911 JE.
Theksojmë se bëhet fjalë për ish-drejtorin e Policisë Vlorë Jaeld Çela, ish-shefin e krimit të organizuar në Vlorë, Gjergj Kohila dhe ish-shefin e kufirit në Dhërmi Sokol Bode. Urdhrat e ndalimit për ta dolën që mbrëmë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.