Personeli i Qendrës Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, përmes një letre të hapur, drejtuar kryeministrit Edi Rama, kanë denoncuar emërimin e një fizoterapisteje në krye të këtij institucioni.
Në letrën e drejtuar kryeministrit Rama, theksohet se drejtoresha e vendosur nga socialistët në krye të këtij institucioni, është aty për shkak të bindjeve partiake dhe jo për arsye profesionale.
Sipas tyre, drejtimi i kësaj Qendre, historikisht është bërë vetëm nga mjekë specialistë dhe për rrjedhojë, situata përkeqësohet në një kohë kur legjislacioni në fuqi e përfshinë drejtorin e Qendrës së Gjakut fuqimisht, në vendimmarrjen profesionale.
“Kjo vendimmarrje ka katër vjet që është e deformuar, duke na bërë siç thoni edhe ju me të drejtë Z. Rama: “Qesharak në sytë e botës”. Dhe ne fakt edhe eksperiencat e fqinjëve tanë na tregojnë, se vetëm ne bëjmë dallim në këtë drejtim. Kështu:
Kosova: Drejtohet, nga Dr. Hysen Sadriu – Mjek Transfuziolog.
Maqedonia: Drejtohet, nga MD.Msc.PhD Emilia Velkova – Mjeke Transfuziologe.
Mali i Zi: Drejtohet, nga PhD Gordana Rasoviç – Mjeke Transfuziologe.
Kroacia: Drejtohet, nga PhD Irena Jukiç – Mjeke Transfuziologe.
Serbia: Drejtohet, nga Prof. Snezana Jovanovic Srzentiç – Mjeke Transfuziologe”, –bëhet me dije nga letra.
Letra e plotë për kryeministrin Edi Rama
I nderuar Z. Kryeministër
Të inkurajuar nga fjala Juaj duke lenë një afat kohor, për të identifikuar parazitët dhe servilët politikë në zyrat, e institucionet shtetërore, (Citojmë; “… kudo në çdo zyrë ne kemi probleme të tilla që na bëjnë qesharak si shtet, që na bëjnë qesharak si shoqëri dhe justifikimet Partia këtu e Partia atje, duhet te marrin fund !), edhe ne deshëm të japim kontributin tonë në identifikimin e njërit prej tyre; Drejtoreshën aktuale të Qendrës së Gjakut (QKTGJ), Znj. Valbona Doçi.
Është ajo vetë që pohon e nuk lë rast pa përmendur suportin e fortë politik që ka, se është shoqe e ndonjë deputeteje, apo edhe e ndonjërës me influencë në Kryeministri apo PS, e ngado që tentojmë të qajmë hallet tona, na këshillojnë që të mos merremi me atë sepse ka mbrojtje të fuqishme politike!
E për fat të keq këtu fillon e mbaron shkëlqimi i këtij personi, e deklaratat e vazhdueshme të hedhura lartë e poshtë prej saj, “se nuk ka ç’i bën askush”, konfirmojnë pikërisht këtë. Po sigurisht që ne nuk mbështetemi vetëm këtu; sjellja e saj arrogante, autokratike, shpërfillja sistematike e mendimit të profesionistëve (profili tipik i një drejtuesi arkaik) janë të mjaftueshme për ta klasifikuar atë, në atë kategori që vet Ju z. Kryeministër na keni ftuar ta identifikojmë e denoncojmë me forcë. Ndaj po ju rendisim edhe një seri faktesh si më poshtë:
Është emëruar Drejtoreshë e Qendrës së Gjakut duke qenë në profesion si fizioterapiste (Citojmë: “…. akoma në shkolla fizkulturën e bëjnë zyshat e matematikës!), nën pretekstin se do të merret vetëm me menaxhim. Joo! Qendra e gjakut nuk është QSUT ku shefat mbulojnë pjesën teknike dhe drejtori mbetet një menaxher.
Historikisht drejtimi i kësaj Qendre është bërë vetëm nga mjekë specialistë, por edhe gjithë legjislacioni në fuqi e përfshinë drejtorin e Qendrës së Gjakut fuqimisht, në vendimmarrjen profesionale.
Kjo vendimmarrje ka katër vjet që është e deformuar, duke na bërë siç thoni edhe ju me të drejtë Z. Rama: “Qesharak në sytë e botës”. Dhe ne fakt edhe eksperiencat e fqinjëve tanë na tregojnë, se vetëm ne bëjmë dallim në këtë drejtim. Kështu:
Kosova: Drejtohet, nga Dr. Hysen Sadriu – Mjek Transfuziolog.
Maqedonia: Drejtohet, nga MD.Msc.PhD Emilia Velkova – Mjeke Transfuziologe.
Mali i Zi: Drejtohet, nga PhD Gordana Rasoviç – Mjeke Transfuziologe.
Kroacia: Drejtohet, nga PhD Irena Jukiç – Mjeke Transfuziologe.
Serbia: Drejtohet, nga Prof. Snezana Jovanovic Srzentiç – Mjeke Transfuziologe
E nuk po ndalemi në Greqi e Itali pastaj, ku ju ftojmë të hyni në Google e të shihni CV e drejtuesit më të fundit të Qendrës Kombëtare të Gjakut në Itali: Prof. Giancarlo Maria Liumbruno – me një eksperiencë shumëvjeçare shkencore në transfusion.
Po përse këtu tek ne, duhet të bëhej kjo zgjedhje?
Të gjithë kolegët tanë mbledhin supet, kur dëgjojnë se në Shqipëri Qendra e Gjakut drejtohet, nga një Mjeke Fizioterapiste! Ne mendojmë se ajo në të vërtetë është sjellë këtu, thjesht dhe vetëm se është një SERVILE POLITIKE.
Ka qenë për dy vjet drejtore e ASHR, në vitet 2000-2002. Thuhet se është shkarkuar e denoncuar në prokurori për abuzime me detyrën. Verifikojeni ju lutem, pasi ky është i vetmi informacion që e kemi sipas disa burimeve, ndërsa gjithë të tjerat i kemi të jetuara vetë dhe i denoncojmë me bindje. Përse duhet ricikluar një individ i tillë?! Thjesht, sepse është një SERVILE POLITIKE.
Në media u shkrua këtë verë se ka ndërruar edhe moshën e saj me 5 (pesë) vjet! Thuhet se ka vendim gjykate… Po cila është ajo gjykatë, apo ai gjykatës, që të ndërron moshën me pesë vjet?! Përse e ka bërë? Sa vjeç e ka filluar shkollën ky person, dy vjeç?! Po Fakultetin?! Ky është i vetmi person që njohim e kemi dëgjuar, i cili në CV-ë e tij vendos moshën e mbarimit të Fakultetit, por jo dhe atë të fillimit. Sigurisht, sepse po të konsultohet karta e saj e identitetit me vitin e fillimit të fakultetit, do të rezultojë se e ka nisur arsimimin e lartë vetëm 13-14 vjeç! (Qesharake, do të thoshit ju Zoti Rama, apo jo?!). Po përse të gjithë heshtin përpara këtij fakti, të verifikueshëm shumë thjesht?. Sepse ajo është, një SERVILE POLITIKE.
Ka emëruar e paguar si infermiere, një person pa diplomë e pa licensë. Pas denoncimit që bëmë tek ekipi i kontrollit të Ministrisë së Shëndetësisë, mund edhe të jenë tjetërsuar të gjitha shkresat e emërimit që vareshin prej saj (nuk na çudit ky fakt) por një fakt është i sigurt që mbetet aty brenda: pagesa e këtij individi si infermiere. Por që gjithsesi “çuditërisht”, ajo i shpëton gjithnjë përgjegjësisë, duke thënë se nuk di gjë, se fajin e ka ajo që e ka paguar etj. Një drejtor gabon edhe kur “Nuk di gjë”, apo jo? Ne nuk e dimë nëse është parë me seriozitet kjo çështje, nga ana e ekipit të kontrollit të MSH, apo jo ….
Një tjetër fakt: Nipi i saj Denis Preçi është paguar një vit e gjysmë jashtë organikës së Qendrës së Gjakut, me paratë e buxhetit të shtetit. Ku shkoi lufta kundër nepotizmit dhe abuzimit me detyrën që e keni shpallur me të madhe?!
Ku e gjen guximin ky zyrtar i shtetit për të gjitha këto që bën, mos vallë tek mbështetja politike?! Po, sepse është një SERVILE POLITIKE.
Që kur është kthyer nga fushata zgjedhore pasi ishte kandidate për deputete në Kukës (Së bashku me Znj. Mimi Kodheli), ka filluar një valë shkarkimesh/emërimesh, të gjitha në kundërshtim me rregulloret tona të brendshme dhe me strukturën e QKTGJ (përsëri, ne nuk dimë nëse janë parë me seriozitet edhe këto çështje nga ana e kontrollit të MSH), si edhe një valë vërejtjesh, paralajmërimesh e largimesh nga pozicione të punës, të gjitha të bazuara në inate personale.
-Mjafton të shikoni edhe lëvizjet kuturu (nga B.Gj ne QKTGJ e anasjelltas, dhe brenda vet QKTGJ nga një repart/sektor te tjetri), e pa asnjë lloj kriteri më minimal, të eksperiencës në punë (në shumicën e herëve pa shkresa zyrtare, thjesht me gojë, pikërisht për të mos lenë gjurmë për këtë katrahurë).
Janë të rrallë ata pjesëtarë të personelit, që nuk janë lëvizur mbi 3-4 herë nga pozicionet e punës, sa andej këtej. Shpjegimi është i thjeshtë: ka vite që në fakt, flitet për një “ankand” të hapur e të pa shpallur midis vet personelit tonë, për të marrë apo ruajtur një vend pune në një Bankë Gjaku (vend i preferuar);
Ka edhe mjaft abuzime të tjera dhe madje akte penale të cilat nëse një ditë i hiqet mbrojtja politike kësaj zonje, mund të jenë objekt edhe i prokurorisë.
Por edhe për vetëm ato që parashtruam më lartë, a mendoni vallë se nuk mund t’i thuhet dot STOP, këtij personi vetëm për shkak të mbështetjes politike?! Deri këtu të kemi arritur?!
E të mbështesësh politikisht (akoma edhe sot, në këtë kohë) këtë person, në drejtimin e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ), është një mëkat dhe ironi e shtetit me vetveten! Është një dëm i madh për këtë institucion të rëndësishëm të shëndetësisë, por edhe një faturë të paktën morale, për ju dhe qeverisjen e partinë tuaj, zoti Rama.
- Kryeministër,
Shpresojmë ta vlerësoni me seriozitetin e nevojshëm këtë denoncim tonin, të bërë me fakte konkrete të jetuara përditë (ashtu si e kërkoni edhe vetë JU), për t’u dhënë njerëzve të këtij vendi një dritë shprese, se vërtet gjërat do të ndryshojnë këtë radhë për mirë. Ana tjetër e medaljes do të ishte një zhgënjim i pa masë, edhe për atë pak shpirt idealizmi që ka mbetur akoma te një pjesë e jona.
Besojmë është e kuptueshme dhe nuk përbën ndonjë sekret të themi, se ne që bëjmë këtë denoncim jemi gjithë personeli i QKTGJ, pasi po na degjeneron para syve një Institucion të ngritur me kontributin 20-vjeçar të mjekëve të nderuar transfuziologë, se po denigron punën e integritetin tonë moral e profesional me cinizmin, vulgaritetin, sajesat e saj të ulëta në çdo ditë të javës! Ky institucion nuk ka nevojë për menaxhere parazite, por për një drejtim të shëndoshë profesional.
E që përpos të gjithave jemi NE, është puna jonë e përditshme dhe impenjimi ynë profesional, që vazhdon të mbajë gjallë këtë Institucion, ndërkohë që ajo vazhdon me axhendën e saj të paudhë, pa kurrfarë lidhje, me mbarëvajtjen e punës.
Në pritje të ndërhyrjes tuaj sa më të shpejtë (pasi më kot këto shqetësime ja kemi bërë edhe ministrisë): Me respekt personeli i QKTGJ.