Nga Mentor Kikia
Ka një lidhje të çuditshme mes zhvillimeve politike në Tiranë dhe sistemit elektronik që kontrollon hyrje-daljet në kufirin grek me Shqipërinë. Pas betejës me deklarata për prishjen e disa ndërtimeve në Himarë,(që përtej retorikës greke duhej të ishin kompensuar ashtu si çdo ndërtim tjetër në vend), dhe më shumë, pas një seance parlamentare të nervozuar ditën e enjte, ku fjalë të gjuhës greke si “Palikari”, “Qirje” etj, ndihmuan në banalizimin e komunikimit mes udhëheqësve politike shqiptarë, në Kakavjië, Kapshticë e Qafë Botë u prishën kompjuterat. Dhe u prishën pikërisht mbrëmjen e të premtes, dhe sipas njoftimeve jo zyrtare, autoritetet greke kanë thënë se mund të qëndrojnë të prishur edhe 48 orë, pra gjatë gjithë fundjavës, kur lëvizjet janë edhe më të shumta.
Por defekti ka ndodhur në mënyrë të selektuar. Ata që posedojnë dokumente greke, pra shqiptarë me leje qëndrimi në Greqi, kalojnë, ndërsa shqiptarët që posedojnë thjeshtë pasaportën dhe të drejtën të futen në Greqi pa vizë, sipas marrëveshjes me BE-në, sistemi nuk funksionon.
Eshtë mëse e qartë tashmë se kufiri është shndërruar në një lloj mjeti shantazhi për Greqinë. Eshtë kthyer në një lloj “terrorizmi”, që ata e përdorin sa herë kanë pakënaqësi për çështje të tjera. Kujtesa jonë është e mbushur me hakmarrje të tilla, kur qeveria greke për një tekë diplomatike lëshonte policinë nëpër ara e kantiere ndërtimi dhe mblidhte punëtorët shqiptarë e i ngarkonte në makina siç ishin, me rrobat e punës. Këto quheshin operacioni “Fshesa”. Tashmë grekët kanë vënë në funksion operacione të reja, që mund të quhen “Sistemi”, “Muri”, “Bllokada”…
E di që shqiptarët do të derdhin mllefin e tyre tashmë ndaj grekëve. Por unë kam një pyetje për këta tanët. Përse duhet të prodhohen tensione me Greqinë, pa shkaqe madhore, kur dihet se atje kemi gjysmën e popullsisë që punon e jeton e që mban edhe gjysmën tjetër këtu? Përse duhet të krijohen situata pa shkak si ato në parlament, ku qoftë edhe duke u tallur me gjuhën e një populli tjetër, e ke fyer atë?
Grekët mund të jenë vërtet të këqinj, por ne jemi edhe më të këqinj. Ne jemi edhe dhi e zgjebosur, edhe bishtin përpjektë. Madje i kemi mbushur mendjen vetes se ky bishti përpjetë është gjeja që na bën më krenarë se çdo gjë tjetër.
Mentor Kikia