Nga Lushnja, Trëndafile VISHA
Ora shënon 10:00. Qyteti i Lushnjës është i heshtur. I heshtur si varri i sapombyllur i Jurger Hoxhës dhe si varri i sapohapur i Zamir Latifit, që pret të mbyllet pas një ore. Dy të rinjve që u bënë shoshë nga plumbat në atentatin e pasdites së 11 tetorit. Por, edhe si një varr stërmadh i hapur shumë vite më parë dhe nuk dihet se kur do të mbyllet… Rrugët ngjajnë të paqta dhe njerëzit të qetë. Vështrimet e tyre përthyhen, ulen poshtë sapo ndeshen me të panjohurit, ndërsa duket sikur pëshpëritin nën zë “dhe jeta vazhdon”… Por, kontakti i parë është krejt i rrejshëm. Nëpër lagje dhe nëpër rrugica, “fshihet” një makth i madh. Çuditërisht, kur pyet për X apo Y person, askush nuk të kthen përgjigje. Se askush nuk e “njeh” njëri-tjetrin.
Ndalim hapim tek lokali bar-kafe ku para tij, në një tabelë shkruhet: “Bulevardi e Palmave”. Në rrugën mes lokalit (ndërtesë 3-katëshe ku duken vrimat e plumbave) dhe tabelës janë ende të dukshme gjurmët e gjakut që u derdh në masakrën e së mërkurës. Dhe shiriti i verdhë i policisë, është ende aty. Dhe një tufë lule e tharë nga dielli, që ditët e fundit ka përvëluar shumë. Dera e lokalit është e kyçur. Mbi xham është shkruar numri 0699… Mundohemi të shohim nga xhami përbrenda. Vëmë re banakun, karriget, tavolinat. Dhe diku përsipër në një mbajtëse, Kuranin. Librin e shenjtë, të cilin Marjus Xhepexhiu që i mbijetoi sulmit, i fshinte pluhurat përditë. Në bri të lokalit, një dyqan ku para tij janë vendosur arka me fruta-perime. Pronarin e pyesim për ngjarjen me dy të vrarë dhe dy të plagosur. “Nuk di asgjë. S’kam parë asgjë. Mos pyesni kot. Unë isha në bodrum kur dëgjova krismat. Kaq mund t’ju them. – Nuk dole jashtë për të parë pasi pushuan breshëritë e kallashnikovëve – e pyesim ne. – Nuk jam aq trim sa të marr një kokërr plumbi nga kurioziteti”, thotë prerazi i moshuari. Më pas, një përgjigje të tillë do e dëgjonim pothuajse nga të gjithë. Ka lidhje ngjarja me Aldo Baren apo me drogën?! Kjo, një pyetje pa përgjigje, por që flet shumë. Askush nuk guxon ta zërë në gojë ish-kapon e bandës së Lushnjës. Edhe pse kanë kaluar afro dy dekada që Aldo Bare nuk ka shkelur në qytetin e tij, emri i tij tremb, tmerrësisht tremb. Duket se masakra e ka gjunjëzuar Lushnjën. Dhe ende nuk dihet nëse ngjarja mori shkas nga hakmarrja mes bandave apo lufta për kontrollin e territoreve të drogës.
NË SHTËPINË E JURGER HOXHËS
Lëmë pas vendin e ngjarjes dhe shkojmë në banesën e 26-vjeçarit të vrarë Jurger Hoxha, në lagjen “Loni Dhamo”. Ngjitemi në katin e dytë. Dyert janë të hapura dhe aty ndodhen të gjithë të afërmit e tij: Vëllai, xhaxhallarët, hallat, kushërinjtë. Ulur në divane janë nëna, babai, gjyshja dhe të tjerë të afërm. I ati i viktimës, Agroni, i cili është i sëmurë, nuk nxjerr asnjë fjalë. Thjesht nuk mundet. Ndërsa nëna e të riut qan nën zë me ngulshe, dridhet e tëra dhe thotë: “Bir o bir, bir o bir”. Se aq mundet të thotë. Të gjithë janë të tronditur. Ende nuk u besohet se Jurgeri i tyre nuk është më. “E varrosëm dje (të enjten) djalin. E vranë pa pasur asnjë faj. Dhe kriminelët enden rrugëve të lirë. Kërkojmë drejtësi. Të kapen vrasësit e djalit”, thotë gjyshja e viktimës.
NË SHTËPINË E ZAMIR LATIFIT
Dje Lushnja na ngjau si një qytet tejet i madh. Humbëm nëpër rrugët e tij. “Ku e ka shtëpinë Zamir Latifi, djali që u vra në atentat në qendër të qytetit?”, pyesim me një fije shpresë një këpucar. Pasi të tjerët që pyetëm para tij na thanë: “Nuk e njohim. Nuk e dimë se e ku e ka shtëpinë”. Ndërsa, një meso-burrë që takuam në rrugë para këpucarit “lëshoi” një fjali të vetme: “Pse gërryeni kot nëpër qytet. Punë bandash është. Ka nisur me kohë. Mos trazoni ujërat kot ju gazetarët”.
Nuk shpresuam kot, këpucari na e tregoi shtëpinë e viktimës, e cila ndodhet në një pallat të ri, në lagjen “Skënder Libohova”. Hyjmë në pallat. Nuk e marrim ashensorin, pasi nuk e dimë se në cilin kat ndodhet banesa e familjes Latifi. Në katin e dytë shohim dyert e apartamentit hapur. Futemi brenda me droje. “Ejani, uluni”, na thotë një grua e moshuar, ndërsa pranë saj është edhe një grua tjetër. E ngushëllojmë dhe i themi se jemi gazetarë. “Jam gjyshja nga nëna e Zamir Latifit. E vranë birin e nënës, e vranë. Ka pak që e varrosën. Të gjithë janë në drekën e tij, ndaj në shtëpi ndodhemi vetëm ne të dyja. Nuk u vranë ata që duheshin, por plumbat ia morën gabimisht jetën nipit tim”, thotë e moshuara. Ndërsa, shton: “Nuk është e vërtetë që nipi im është marrë me drogë. Ai ka qenë dy herë në Itali. U kthye para tri ditësh. O Zot ç’na gjeti! Ia mbylli derën vajzës sime, pasi e kishte djalë të vetëm. Ime bijë ka edhe një vajzë, por ajo është e martuar, është në shtëpinë e saj. Është e tmerrshme kjo që na ndodhi, pasi vajza ime dhe dhëndri janë të dy të papunë”. / Gazeta Shqiptare