Krimi në familje trondit sërish kryeqytetin. Beniamin Kaso 19 vjeç ka goditur me thikë dy gjyshërit nga ana e të ëmës.
Ngjarja ndodhi gjatë mesditës së të enjtes në zonën e Freskut në apartamentin ku jetonin të moshuarit.
Shaban dhe Hajrije Agaj respektivisht 80 dhe 77 vjeç, ndodhen në reanimacionin e spitalit të Traumës në Tiranë. Ata i janë nënshtruar operacionit, pasi kanë marrë nga katër goditje me thikë secili, nga nipi i tyre pas një sherri brenda në familje.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për Klan Plus dhe zanafillën e konfliktit e cila ka nisur për shkak të një mosmarrëveshje për para, sot kur Shaban Agaj mbushte 80 vjeç. Djali jetonte në Gjermani me nënën dhe kishte ardhur pak kohë më parë në shtëpinë e gjyshërve të tij.
Plagosja ka ndodhur brenda ambienteve të apartamentit, ndërsa me thikë në dorë për t’iu fshehur policisë, 19-vjeçari është futur në zyrat e një banke të nivelit të dytë.
Menjëherë punonjësi i sigurisë ka lajmëruar policinë e cila ka ardhur dhe ka prangosur teksa i riu priste i ulur në një prej karrikeve të klientëve të bankës.