Universitetet e British Columbia në Kanada, po shpenzojnë miliona për të joshur studentë nga e gjithë bota, duke iu afruar atyre lehtësira në procedurat e pranimit në këtë universitet, dhe duke zhvatur studentët e huaj dhe familjet e tyre.
Universitetet publike dhe private të kësaj province shpesh mbështeten në një rrjet ndërkombëtar të agjentëve rekrutues dhe shkollave ndërkombëtare për t’i furnizuar ata me studentë universitarë të gatshëm të paguajnë tarifa shkollimi që shpesh janë tre ose katër herë më të larta se ato që paguajnë studentët vendas.
Shifrat e buxhetit për disa institucione tregojnë se shpenzimet e tyre për rekrutimin e studentëve ndërkombëtarë janë rritur gjatë viteve të fundit.
Agjentët ndërkombëtarë shpesh rekrutojnë studentë për shumë universitete në Kanada. Ata marrin një përqindje nga institucionet kanadeze për çdo student që rekrutojnë, zakonisht një pjesë e pagesës së vitit të parë të paguar nga studenti. Përqindja mund të variojë midis 10 për qind deri në 40 për qind, në varësi të universitetit, vendit të origjinës dhe kontratës që ka nënshkruar me agjentët.
Shumë persona që dinë si funksionon rekrutimi i studentëve tregojnë rolin thelbësor që agjencitë e rekrutimit si palë e tretë luajnë në dërgimin e studentëve në Kanada.
Disa studentë nga universitetet e British Columbia thanë për The Vancouver Sun se u ishin ngarkuar më shumë shpenzime se ç’duhej dhe se si u mashtruan nga agjentët ndërkombëtarë.
Elsa Leraj, një studente shqiptare, shkoi në Vankuver për të studiuar në degën Anglisht në vitin 2014. Ajo dhe motra e saj paguan një agjent që punonte në Shqipëri me një kompani. Shuma ishte gjithsej 15,000 dollarë për të dyja për të marrë vizën e studentit.
Qeveria lokale ka përcaktuar një shumë prej 150 dollarësh për vizë studimi dhe 100 dollarë për të marrë vizën e vizitorit. Ndërkohë që sipas The Vancouver Sun paga mesatare në Shqipëri është 500 dollarë në muaj.
“Ata u tregonin njerëzve për punë dhe shkolla jashtë vendit. Unë nuk e di se ku kanë shkuar paratë,” tha Leraj.
Të dy motrat shqiptare u pajisën me viza, por njëri nga kushërinjtë e tyre nuk ishte aq me fat: viza e tij, për të cilën ai pagoi një shumë të ngjashme si vajzat, nuk iu dha kurrë.
Agjentja, Luli Makashi, u arrestua në prill të vitit 2016 nga autoritetet shqiptare, së bashku me vajzën e saj Adeila. Sipas dokumenteve të gjykatës, Makashi u hetua pas akuzave për “mashtrim” në lidhje me rastet e shumta të shtetasve shqiptarë që po tentonin të fitonin punë dhe viza studentore në Kanada, Australi, Angli dhe vende të tjera. Gjykata konfiskoi të gjitha llogaritë bankare të kompanisë me të cilën ata bashkëpunonin. Rasti vazhdon ende në gjykatat shqiptare.
Pas mbarimit të studimeve të gjuhës angleze, Leraj që nga ajo kohë është regjistruar në Universitetin e Douglas ku po vazhdon studimet për titull shkencor.
Agjentët e rekrutimit nxisin polemika të vazhdueshme në mbarë botën.
Në një raport të lëshuar verën e kaluar, Bridge Education Group zbuloi se 37 për qind e institucioneve në SHBA që u anketuan shprehën një mungesë besimi në rekrutimin e studentëve nëpërmjet palëve të treta.
British Columbia nuk siguron mbikëqyrjen qeveritare të agjentëve të rekrutimit ndërkombëtar. Megjithatë Ligji i Mbrojtjes së Emigracionit dhe Refugjatëve, ndalon personelin e pa akredituar që të ndërhyjnë në procesin e aplikimeve për emigracionin, duke përfshirë aplikimin e vizave për studentët, asnjë zhvillim nuk mund të ndodhë jashtë Kanadasë./tvklan.al