Pak ditë më parë emisioni “STOP” transmetoi rastin e shkollës “Kongresi i Manastirit” në Yzberisht dhe librit me përmbajtje të fortë seksuale, që kishte depërtuar në shkollë tek nxënësit e klasave të treta. Një ditë më pas, Drejtoria Arsimore pezulloi drejtoreshën e shkollës, por duket se vetë drejtuesit e shkollës e kanë gjetur “kokën e turkut”, rojen e shkollës.
Në redaksinë e emisionit mbërritën informacione, që roja Hysen Hila është pushuar, pasi lejoi hyrjen e gazetarëve të emisionit “STOP”. Vetë Hila tregon për pushimin nga puna, por zv/ drejtoresha thotë se kjo është në dorë të bordit. Në mënyrë të beftë, kryetari i bordit, Mustaf Kovaci, thotë se roja nuk është pushuar, por mund të ketë qenë i sëmurë që nuk është paraqitur disa ditë në punë…
Emisioni “STOP”, më datë 21 Shtator, transmetoi skandalin e shkollës 9 – vjeçare “Kongresi i Manastirit”, e cila ka detyruar nxënësit e klasave të treta të blejnë një libër për “të zgjeruar” njohuritë, ku flitet me terma shumë të rëndë e të parakohshëm për trupin, organet gjenitale, marrëdhëniet seksuale dhe riprodhimin.
Drejtoria Arsimore ka pezulluar nga detyra drejtoreshën e shkollës së Yzberishtit, por në redaksinë e emisionit “STOP” mbërritën informacione nga prindërit e nxënësve se nuk ajo ka qenë e vetmja që është larguar nga puna. Roja i institucionit është “djegur” gjithashtu nga investigimi i emisionit “STOP”, vetëm e vetëm se pse ka lejuar stafin të hyjë në shkollë për të komunikuar me drejtoreshën, në lidhje me tekstet jashtëshkollore që kishin përmbajtje seksuale.