Manjola Bregasi-
Të vetëm dhe të papërkrahur janë ndjerë banorët e 150 familjeve në zonën e Shkozës në këto ditë të vështira për ta, kur fadromat e IKMT-së qëndrojnë gati pas dere për t’ju rrafshuar banesat.
Në një kohë kur njerëzorja dominon cdo rrëfim kryefamiljari, që pas dyerve të shtepise mbart gjithë investimin e jetës dhe të ardhmen e fëmijëve, institucionalja klith nën zhurmën e thatë të fadromave që nuk pyesin për ndjenjë.
Kryeministri Rama u tregua i prerë: janë ndërtime të paligjshme dhe do të prishen. Banorët do të trajtohen si të pastrehë.
Kryetari i bashkisë iu përgjigj me gatishmëri Kryeministrit, ndonëse dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Bashkia do të ofrojë pagesën e qerasë për banorët e Shkozës për një periudhë 2 vjecare. Më pas? Zoti qoftë me ta !
Por këta banorë nuk duan të trajtohen si të pastrehë. Ata nuk duan as të pengojnë ndërtimin e unazës, por kërkojnë dëmshpërblim për shtëpitë e tyre.
Por ligji thotë se ata nuk meritojnë dëmshpërblim, ndonëse prej të paktën 20 vitesh janë përpjekur t’i legalizojnë ndërtimet e ngritura pa leje. Ka mes tyre edhe nga ata që e kanë lejen e ndërtimit nga pushteti popullor i para viteve ’90, por sërish nuk përfitojnë dëmshpërblimin e duhur, sepse shteti nuk u ka njohur tokën. Dhe ligji nuk ka vend per pikëpyetje, ndersa banoret po.
Ata duan te dine perse nuk jane njoftuar per vendimin e prishjes se banesave te tyre?
Perse Aluizini nuk ua ka derguar mer përpara refuzimin e legalizimit, por vetem pak dite përpara se fadroma t’u hynte ne derë pa patur nevoje të trokasë?
Ata pyesin veten se ku do ta kërkojnë të drejtën që ligji nuk ua jep, por që cdo logjikë njerëzore do ta justifikonte. Ata kërkojnë ndihmë, por nuk dinë se ku, sepse problemi i tyre është shteti, që në fakt duhej të ishte zgjidhja.
Shteti me flet me ligjet, qytetarët flasin me zemrën, ndoshta edhe me hallet që shpesh i kanë zënë përfund.
Po e drejta për kë flet?
A do të kishte sot gjykatë e avokat në gjendje të mbronte shtëpitë e palegalizuara të banorëve të Shkozës e t’i nxirrte ata fitues përballë shtetit? Veshtire!
Por a është e drejtë dhe logjike kërkesa e banorëve të Shkozës për të mbrojtur djersën dhe kursimin e një jete të tërë? Absolutisht që po.
Duket se në rastin e Shkozës ligji dhe e drejta nuk shkojnë në të njëjtën anë e aq më pak në gjithë këtë kontekst shteti nuk është ai që mbron dhe duhet të mbrojë qytetarin, por ai që nxjerr në rrugë më shumë se 700 vetë, duke u thënë se ligji nuk u jep të drejtë.
Shteti funksionon me ligje dhe jo me ndjenja, por sa vlerë kanë ligjet kur ato nuk i sherbejnë qytetarëve?