Ferdinant Ruko, bashkëshorti që hodhi gruan nga kati i katërt i pallatit, i ka shpëtuar dënimit me burgim të përjetshëm, duke marrë kështu 35 vjet burg. Vendimi u dha dje nga trupa gjykuese e kryesuar nga Bib Ndreca në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Ruko ishte prezent në seancë dhe madje kërkoi mëshirë nga trupa gjykuese.
Ai bëhet kështu i fundit i dënuar për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” që përfiton ulje dënimi nga gjykimi i shkurtuar. Seanca gjyqësore nisi me vonesë, për shkak se njëri prej anëtarëve të trupës gjykuese ndodhej në një gjyq tjetër që zhvillohej paralel. Që në nisje të saj, avokati mbrojtës, Saimir Vishaj, kërkoi që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura dhe se familjarët e viktimës të largoheshin, për shkak të marrëdhënieve të acaruara që ata kishin me të akuzuarin. Kërkesa u refuzua nga Gjykata dhe procesi vazhdoi.
RUKO KËRKON MËSHIRË
Ai u shfaq disi konfuz dhe aspak i qetë në gjyq. Ruko nisi të justifikohej për krimin. “3 dhjetori nuk erdhi vetë. Ka pasur një sërë ngjarjesh që kanë çuar te 3 dhjetori”, tha Ruko në gjykatë. “Gjithçka ka nisur që në vitin 2011 dhe kur ishim në Gjermani. Unë kam pasur edhe një bashkëjetesë tjetër më parë pa probleme. Po të mos kishte qenë ai urdhër mbrojtjeje, nuk do të kishte as 3 dhjetor”, ka vazhduar të justifikohet Ruko para gjyqtarëve.
Ai madje ka shkuar edhe më larg, duke thënë se Liljana e kishte shtyrë që ta ndërmerrte vrasjen, duke shtuar se ai nuk e kishte planifikuar një gjë të tillë. “Ajo më ka provokuar. Më nxori nënën nga shtëpia kur ishte sëmurë. Më mori fëmijët me atë urdhër mbrojtjeje dhe më provokonte vazhdimisht. Më 3 dhjetor, ajo më kishte dhunuar dhe unë e humba dhe reagova. Nuk kisha planifikuar asgjë. Më shtyu që ta bëja”, rrëfente versionin e tij Ruko.
Mirëpo vëllai i viktimës e ndërpreu nga salla. “Po ti e zhveshe…”, thirri ai, derisa u ndërpre nga gjyqtari. Më pas fjala i kaloi sërish të pandehurit, i cili dilte shpeshherë jashtë objektit të gjyqit. Avokati i tij i pëshpëriste nga përtej xhamit që të mos fliste aq gjatë, pasi konkluzionet e mbrojtjes i ishin paraqitur tashmë trupit gjykues.
Në fund të fjalës së tij, para se trupa gjykuese të tërhiqej për vendimin final, Ruko tha se ai ishte i keqardhur për ngjarjen. Ai përmendi edhe fëmijët, të cilët nuk i kishte parë që nga dita kur ndodhi vrasja. “Veprimin nuk duhet ta kisha bërë. Nuk kam pasur shkelje të mëparshme. Për hir të fëmijëve kërkoj mëshirë!”, ka përfunduar 49- vjeçari Ruko dhe më pas është ulur në vend. Gjatë gjithë seancës ai ka shmangur çdo kontakt me familjarët e viktimës.
PROTESTA E VËLLAIT TË VIKTIMËS
Teksa gjyqtari Ndreca lexoi vendimin përfundimtar, vëllai i Liljana Rukos protestoi hapur duke thirrur në sallë: “Ky është turp!”. Ai u largua në mënyrë demonstrative nga salla, duke përplasur derën pas vetes. Ndërsa i pandehuri nuk shfaqi asnjë emocion teksa i komunikohej dënimi prej 35 vjetësh burg. Familjarët e tjerë qëndruan deri në fund të seancës dhe më pas u shoqëruan nga Policia jashtë gjykatës. “Kjo nuk është drejtësi! Ky është një turp i padrejtë dhe nën mbrojtjen e shtetit. Gjykata e mëshiroi. Kjo do të thotë se duhet të vrasim edhe ne që të na falin”, ka përfunduar i vëllai i Liljana Rukos. Erald Deliu/ Panorama