Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka folur për mediat në lidhje me incidentin e ndodhur në Elbasan. Në deklaratën e tij Çako është shprehur se strukturat e shtetit do të jenë gjithmonë në gadishmëri, dhe se askush nuk do mundet ta sfidojë dot shtetin.
“Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Forcat e Posaçme, Forcat Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë, kanë organizuar një operacion të gjerë në qytetin e Elbasanit.
Operacion i cili konsiston në kontrollin, identifikimin, arrestimin dhe shoqërimin e të gjithë personave me precedentë kriminalë por në mënyrë të veçantë të atyre të cilët janë pjesë e grupeve kriminale të Elbasanit.
Por nisur dhe marrë shkas nga ngjarja ku u godit automjeti i Policisë gjatë një operacioni policor, për identifikimin dhe sekuestrimin e aseteve dhe mjeteve të vendosura në mënyrë të paligjshme nga veprimtari kriminale.
Në këtë kuadër shpreh dhe një herë gatishmërinë e të gjithë Policisë së Shtetit të Qeverisë Shqiptare, në mënyrë të veçantë të Ministrit të Punëve të Brendshme Z. Fatmir Xhafaj, një luftë pa kompromis ndaj çdo veprimtarie të organizatave apo grupeve kriminale kudo qofshin ato më çfarëdolloj ngjyre apo dhe tendence.
Jemi të vendosur për ti vënë përpara përgjegjësisë ligjore por gjithashtu jemi të vendosur për të çuar deri në fund, për të sekuestruar dhe konfiskuar në bashkëpunim me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe me Prokuroritë dhe Gjykatat të gjithë këta individë të cilët kërkojnë të sfidojnë shtetin.
Në vlerësim edhe të porosive të dhëna nga Ministri I Punëve të Brendshme Z.Xhafaj në takimin e organizuar dje me drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Shtetit ne kemi ndërmarrë këtë operacion i cili nuk do të jetë vetëm qytetin e Elbasanit por në të gjitha qytetet ku ne disponojmë informacione mbi bazën e analizave të detajuara të grupeve dhe të individëve të cilët kanë aktivitet dhe veprimtari kriminale.
Sigurojmë dhe një herë të gjithë qytetarët e Elbasanit duke gjetur dhe rastin ti falenderojmë ata për të gjithë informacionin që kanë sjellë se Policia e Shtetit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe e gjithë Qeveria Shqiptare do të jetë prezent dhe e vendosur për të siguruar rendin dhe qetësinë.
Pyetje: Z.Çako a është identifikuar apo kapur personi që dyshohet se goditi mjetin e Policisë?
Sigurisht personi është identifikuar.
Të gjitha veprimet proceduariale dhe hetimore janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Jemi në një proces intensiv të analizës me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në këto kushte kërkojmë angazhim maksimal edhe të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit, të Gjykatave dhe të gjithë sistemit të Drejtësisë, duke u bërë pjesë e një barrikade të jashtëzakonshme që do ti bëhet krimit.
Pyetje: Sa persona janë shoqëruar në Polici?
Cako: Janë shoqëruar një numër i konsiderueshëm njerëzish dhe do të vazhdojnë të shoqërohen dhe do të procedohet ndaj të gjithë atyre që janë të implikuar, janë pjesë e organizatave ose e veprimtarive kriminale dhe ne do të vazhdojmë punën tonë pasi një pjesë është dokumentuar, por hetimi vazhdon.
Gazetari: Ju dje keni pasur një takim me Ministrin e Brendshëm Z.Xhafaj, cila ka qenë tema e këtij takimi?
Cako: Në këtë kuadër, tema kryesore ka qenë lufta pa kompromis ndaj Krimit të Organizuar në mënyrë të veçantë, por edhe në luftën për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e të gjithë ardhurave, të aseteve, pasurive por edhe të gjithë veprimtarive kriminale.
Pyetje: Një pyetje të fundit Z.Çako cili është emri i personit të shpallur në kërkim për ngjarjen ku u godit makina e policisë?
Çako: Kjo përbën sekret hetimor.