Policia e Shtetit ka zbarkuar në Elbasan pas incidentit të rëndë, ku makina e zv/drejtorit u godit nga një makinë e blinduar Audi A8 në pronësi të biznesmenit Petrit Cela. Ngjarja u shoqërua me akuza politike, ku Basha deklaroi se Rama dhe kryebashkiaku Qazim Sejdini mbështesin kriminelët, madje tha se në drejtim të mjetit që goditi policinë ka qenë Seul Cela (djali i biznesmenit) ndërsa shoqërohej nga dhëndri i Sejdisë.
Sot në Elbasan mbërriti drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hali Cako. Po kështu në ndihmë të Policisë së Elbasanit shkuan RENEA, FNSH dhe Forcat Operacionale.
Lidhur me këtë operacion masiv policia, përmes një deklarate për mediat tha se janë ndaluar per verifikim 27 persona si dhe jane bllokuara disa makina luksoze.
Më poshtë deklarata e Policisë së Shtetit
Prej orëve të para të ditës së sotme strukturat e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, mbështetur nga Struktura të Posacme, Forcat Speciale Renea dhe ato të FNSh-së, kanë ndërmarrë një operacion të gjerë policor në qytetin e Elbasanit dhe rrethinat e tij.
Ky operacion konsiston në kontrollin, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, autorëve të ngjarjeve të rënda kriminale, pjestarë të grupeve kriminale, duke përfshirë edhe autorët e ngjarjes së ndodhur më datë 20.09.2017 në qytetin e Elbasanit.
Gjithashtu ky operacion zhvillohet edhe në kuadër të Plan Operacionit “Vjeshtë 2017”, për identifikimin, konstatimin dhe sekuestrimin e aseteve, automjeteve dhe pasurive të vendosura në mënyrë të paligjshme nga veprimtaritë kriminale të grupeve apo organizatave kriminale.
Nga veprimet e deritanishme janë identifikuar dhe bllokuar disa asete, pasuri, ambiente dhe automjete të ndryshme në pronësi, posedim apo përdorim të subjekteve me aktivitet kriminal.
Me qëllim hetimin e plotë ligjor dhe vënien përpara përgjegjësise ligjore të autorëve po bashkëpunohet me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Si rezultat i operacionit të sotëm janë bllokuar disa makina luksoze.
Është kapur një person në kërkim për vjedhje me armë.
Janë kontrolluar ambiente, automjete e persona të dyshuar.
Janë shoqëruar në ambientet e Policisë 27 persona për verifikim, kryesisht persona me precedent penal në fusha të ndryshme.
Policia e Shtetit falënderon të gjithe qytetarët e Elbasanit të cilët kanë përcjellë informacionet dhe shqetesimet e tyre dhe i siguron ata se Policia i ka trajtuar dhe po vazhdon ti trajtojë me shumë seriozitet e përkushtim si dhe po vijon punën për të siguruar rendin dhe qetësinë qytetarëve të Elbasanit dhe të gjithë komunitetit në çdo cep të territorit të vendit.
*Video nga Elbasani