Bashkia Sarandë ka publikuar sot një njoftim të çuditshëm në faqen e saj në Facebook.
Ajo paralajmëron familjet apo blegtorët që mbarështojnë bagëti në zonat e banuara, se nëse do të konstatohen nëpër rrugë, do të therren dhe mishi i tyre do të shpërndahet në qendrat e kujdesit social.
Më poshtë njoftimi i plotë:
Njoftohen të gjithë qytetarët, banorë të Sarandës dhe Ksamilit, që mbarështojnë bagëti në këto territore, se Bashkia do të ndërmarrë veprime me tolerancë zero në zbatim të ligjit, për të ndarë përfundimisht turizmin nga bagëtitë.
Në çdo rast që do të kapen të imta dhe gjedhë jashtë regjimit stallor, në qendrat e banuara te këtyre territoreve, ato do të përfundojnë në thertore dhe mishi i tyre do të jepet për konsum falas në institucione sociale etj.
Është hera e fundit që mbarështuesit e bagëtive të imta apo gjedhë, porositen t’i mbajnë në regjim stallor, ose t’i tregtojnë ato apo t’i therin dhe t’i konsumojnë vetë, përpara se të sekuestrohen dhe çohen në thertore, përfundon postimi në FB i bashkisë Sarandë.