Po kthehej nga Peshkopia për në Krujë, i merr flakë në ecje automjeti. Në gjendje të rëndë, drejtuesi mori 70% djegie në trup. Këto jane detajet e para te ngjarjes se rëndë qe ndodhi mbrëmjen e së premtes, rreth orës 21:30, në aksin kombëtar Bulqizë- Klos, në afërsi të vendit të quajtur “Qafa e Buallit”.
Sektori i Policisë Klos është njoftuar se një makinë është përfshirë nga flakët dhe një person ka pësuar djegie të mëdha. I dëmtuari është dërguar me shpejtësi në spitalin e qytetit të Bulqizës dhe i është dhënë ndihma e parë nga bluzat e bardha.
Mjekët thanë se bëhej fjalë për Shkëlqim Çelën nga Fushë-Kruja. Sipas tyre, trupi i tij është djegur në mbi 70% të sipërfaqes trupore dhe në këto rrethana është transportuar me shpejtësi drejt kryeqytetit për kurim më të specializuar. Sipas Policisë, 42-vjeçari po kthehej nga qyteti i Peshkopisë, ku ishte për të vizituar në spital Baba Ismail Jangullin, babain e Teqes së Bllacës. Ndërsa udhëtonte me automjetin e tij tip “Ford”, me targa AA 779 AJ, në aksin Bulqizë-Klos, makina e tij është përfshirë nga flakët. Sipas bluve të Matit, Çela udhëtonte i vetëm dhe është përpjekur të shuajë flakët e makinës, por rrobat e tij janë përfshirë nga flakët, duke bërë që të mos jetë në gjendje t’i shuajë ato.
I pushtuar nga flakët, Çela është gjetur nga shoferët e linjës Tiranë- Peshkopi disa metra larg makinës, e cila është djegur plotësisht. Kalimtarët i kanë ofruar ndihmë duke e transportuar drejt spitalit të qytetit në gjendje të rëndë shëndetësore. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur dhe oficerë të Policisë Gjyqësore, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.