Për ish-nënkryetarin e Partisë Demokratike, Astrit Patozi asnjë raport i dalë nga zyrat e ministrave teknikë të Lulzim Bashës nuk e shpëton kreun e demokratëve nga përgjegjësia për disfatën e thellë në zgjedhjet e 25 qershorit. Lulzim Bashës i kujton heshtjen që sipas tij e shoqëroi nga arritja e marrëveshjes në 18 maj me kryeministrin Rama deri tek mungesa e denoncimeve për blerje votash ditën e zgjedhjeve.
Astrit Patozi
“Qeveria nuk rrëzohet nga Brenda Lulzim! Mes fushatës së qetë dhe pa asnjë denoncim të opozitës dhe “tmerreve” që përshkruan raporti, është në mes një det i tërë. Në të cilin i vetmi i fundosur këmbë e duar është Lulzim Basha. Edhe raporti i OSBE/ODIHR-it sikur të nxinte nuk do ta shpëtonte dot Lulzim Bashën nga pesha e fajit për humbjen e thellë të Partisë Demokratike në 25 qershor, më të rëndën e të gjithë historisë së saj”.
Teksa e etiketon si një njeri që urren të marrë vendime, Patozi thotë se Lulzim Bashës i mbetet ose ta besojë plotësisht raportin e ministrave të tij teknik dhe të bojkotojë parlamentin duke iu rikthyer çadrës së lirisë ose të të lëpijë ndonjë kockë që mund t’i vijë nga Edi Rama”.
Krahas Patozit edhe ish nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli reagoi ashpër ndaj deklaratës së Lulzim Bashës.
Jozefina Topalli
“Pas 18 majit nuk pati asnjë fjalë , asnjë shqetësim dhe asnjë vërejtje për zgjedhjet. Në fushatë asnjë fjalë kundra Ramës dhe asnjë fjali për blerje votash. Pas 25 qershorit asnjë ankesë, asnjë fakt, asnjë provë nuk dorëzoi as në KQZ dhe as tjetërkund. Anëtarët e opozitës në KQZ votuan unanimisht rezultatin e 25 qershorit. Në asnjë qendër votimi, në asnjë zonë elektorale nuk pati asnjë shënim , asnjë vërejtje nga numëruesit e opozitës”.
Topalli thotë se shitja e opozitës nga Lulzim Basha është vetëm njëra anë e kreut të demokratëve, teksa i kujton manipulimin e zgjedhjeve për krytear në parti.
Tv Klan