(Foto ilustruese)
Një tragjedi është regjistruar pasditen e sotme në ujërat e liqenit të Shkodrës, ku janë mbytur dy të mitur. Viktimat janë dy djem të moshës 13 dhe 15 vjeç, kushërinj me njëri-tjetrin.
Policia informoi se “rreth orës 16:00, ka ardhur një telefonatë në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe se në Liqenin e Shkodrës, në vendin quajtur Grilë, janë mbytur në liqen dy fëmijë. Menjëherë ka shkuar shërbimet e policisë në vendngjarje ku ka rezultuar se ishin mbytur shtetasit E. T,13 vjeç dhe S. T 15 vjeç, banues në fshatin Gruemirë, kushërinj me njëri-tjetrin”.
Dy viktimat mësohet se ishin futur në liqen së bashku me 5 persona të tjerë. Ata kishin hipur në një varkë të vogël dhe kur kanë arritur në thellësi janë hedhur në ujë për t’u larë.
Varkën e ka marrë rrjedha e liqenit dhe 5 prej tyre kanë mundur të dalin në breg të liqenit ndërsa dy djemtë e mitur janë mbytur.
Shërbimet e Policisë së bashku me disa banorë të fshatit rreth orës 17:45 kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave të pajetë nga liqeni.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.