Tashmë kanë marrë fund sorollatjet për pacientët që kryejnë hemodializë. Shumë pacientë nga rrethet udhëtonin 3 herë në javë drejt Tiranës për të marrë këtë shërbim jetik. Për shkak të kostove që ka hapja e këtyre qendrave, u mendua partneriteti publik privat si zgjidhja më efikase.
Sot janë 5 qendra të reja në gjithë vendin. Shërbimi është krejtësisht bashkëkohor siç shihet edhe në foto.
Sot pacientët me banim ne Vlorë, Shkodër, Lezhë, Elbasan dhe Korçë nuk udhëtojnë më drejt Tiranës me orë të gjata tre here në javë për të siguruar mbijetesën e tyre nga Sëmundja Renale Kronike.
Shërbimi i dializës nuk është më ai shërbim për të ardhur keq ku mungonin kushtet më minimale të infrastrukturës, ku të sëmurët për shkak të mungesës së aparaturave dhe kryerjes së testeve laboratorike, në jo pak raste janë prekur edhe nga sëmundje të tjera infektive, si hepatitet virale e të tjera edhe më të rënda.
Ndryshimin e cilësisë së shërbimit dhe cilësisë së jetës së pacientëve e dëshmojnë qartë vetë pacientët e familjarët e tyre. Falë investimit të kryer, asgjë nuk e dallon këtë shërbim nga ato të vendeve më bashkëkohore, ku veç aparaturave të nevojshme, të sëmurët trajtohen nga një personel mjekësh e infermierësh në numër të mjaftueshëm, të cilët trajnohen periodikisht për mirëmbajtjen e cilësisë së shërbimit të kualifikuar.
Aktualisht në vendin tonë marrin shërbim Dialize rreth 1050 pacientë. Rreth 287 të sëmurë ose 30% e totalit të sëmurëve trajtohen në qendrat e dializës ngritur rishtazi në pesë rrethe falë investimit të Kompanisë DiaVita sh.p.k.. Këto qendra ofrojnë të gjitha parametrat bashkëkohorë për të sëmurët dhe stafin ne shërbim.
Investimi 3.2 milionë euro i mbetet shtetit
Kompania DiaVita ka ngritur nga e para mjediset ku ofrohet shërbimi i hemodializës, ku deri tani janë investuar në rehabilitim, pajisje mjekësore dhe teknologjike rreth 3.2 milionë euro.
Në vitin e shtatë të gjitha pajisjet mjekësore do të rinovohen në masën 100% dhe në fund të vitit të dhjetë, të gjitha këto pajisje do të transferohen në pronësi të spitaleve publike ku i gjithë investimi i trashëgohet shtetit.
Gjithashtu për sigurimin e këtij shërbimi në parametra bashkëkohor janë punësuar 104 punonjës të kualifikuar staf mjekësor dhe ndihmës.
Spekulimet për Hemodializën
Disa herë, për shkak të mungesës së informacionit, apo edhe të ndonjë arsyeje tjetër, nga media të caktuara, janë hedhur hije dyshimi për këtë shërbim. Është aluduar se Hemodializa që ofron DiaVita në pesë spitale rajonale, ofrohej më parë nga Spitalet Publike, ndërkohë që e vërteta është krejt tjetër. Vetëm Spitali Rajonal i Shkodrës dhe Elbasanit jepnin më parë këtë shërbim në ambjente larg parametrave të nevojshëm, pajisje mjekësore të amortizuara, me kapacitete të pamjaftueshme dhe larg standardeve minimale, duke detyruar pacientë të udhëtonin drejt Tiranës apo Durrësit për shkak të mungesës së kapaciteteve.
Sot, Qendra e Hemodializës së Elbasanit dhe e Shkodrës janë ndërtuar në ambjente të reja sipas standardeve më të larta bashkëkohore dhe të pajisura me pajisje mjekësore dhe teknologjike në të njejtin standart me atë të BE.
Ndërsa Spitali Rajonal i Vlorës, Korçës dhe i Lezhës nuk e kanë dhënë asnjëherë këtë shërbim më parë, duke detyruar pacientët e këtyre rretheve të udhëtonin me orë të gjata për të marrë këtë shërbim drejt Fierit, Durrësit, Tiranës, Gjakovës, Ohrit apo Strugës, plot tre herë në javë, për vite me radhë.