Janë zbardhur të tjera detaje nga porositja e vrasjes dhe mbetja e saj në tentativë ndaj aktorit Mishel Prela i cili mbeti i plagosur nga plumbat në 20 Korrik pranë gjimnazit Partizani në kryeqytet.
Gazeta “Panorama” ka mësuar se Shkëlzen Buci, i cili sipas Policisë, kishte rolin e ekzekutorit të aktori dhe që kishte bërë pazarin me porositësin, Ervin Zallumin i ndodhur në vështirësi financiare pasi ai dhe familja kishin marrë kredi për të shëruar të vëllanë që vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe që është ndarë nga jeta, kishte pranuar propozimin e Zallumit për të ekzekutuar Mishel Prelën.
50 mijë euro pas vrasjes dhe 30 mijë të tjera deri në fund të vitit ishte pazari mes Zallumit dhe Bucit.
Ndërsa Buci nga ana tjetër angazhoi Miklar Tolen dhe vëllain Ermirin si dhe Trim Hidrin për të ndjekur lëvizjet e Prelës si dhe për t’u larguar pas ekzekutimit.