Jozefina Topalli, Demokratja që këtë mandat nuk do e shohim në parlamentin shqiptar nuk e përjashton mundësinë e rikthimit të zotit Berisha në krye të PD-së, si një mundësi për të zgjidhur krizën brenda forcës së djathtë.
Partia Demokratike është në krizë, Figura që themeluan partinë e kanë kontribuar në rritjen e saj u lanë me ‘firmën’ e Lulzim Bashës, jashtë listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 qershorit. Në PD më 22 korrik mbahen zgjedhjet për kryetarin e ri mes Lulzim Bashës që “ngriu” funksionet e tij pas humbjes së thellë në zgjedhje, dhe Eduard Selamit, që futet në këtë garë edhe pse ishte një nga të ‘përjashtuarit’ e Bashës e që mbeti jashtë legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë.
Ndërkohë zërat kritike kundër Bashës si drejtues janë të shumtë, e ndërkohë nga ana tjetër po kaq e mistershme duket edhe heshtja e ish-kryeministrit Sali Berisha përballë kësaj situate.
Por a do të ishte zgjidhje për krizën e thellë në PD-së, rikthimi në krye të partisë i liderit historik të PD-së, Sali Berisha?!
E ftuar në emisionin “Komiteti” nën drejtimin e gazetarit Berat Buzhala, Jofezina Topalli, një ndër zërat që ka kundërshtuar Bashën qysh prej kohës kur ju la drejtimi i partisë në vitin 2013, jep shembullin e Francës.
“Berisha sërish ne PD? Kjo nuk është pyetje për mua. Por ka precedent. De Gol u tërhoq, Franca ishte në ditë të vështirë, populli e kërkuan dhe ai u kthye”, thotë Topalli.
Kujtojmë se Sali Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike pas humbjes në zgjedhjet e qershorit të 2013-ës, kur pas 8 vitesh në qeverisje, pushtetin e mori partia Socialiste në koalicion me aleatin më të madh, LSI-në, e drejtuar në atë kohë nga Ilir Meta, tashmë president i vendit në pritje të betimit./Gazeta Express.