Policia e Lezhës ka zbardhur atentatin që ndodhi sot në mëngjes në Kalivaç të Lezhës, ku mbeti i plagosur shtetasi A.Gj. 47 vjeç.
Ai u qëllua në automjet nga disa persona me armë zjarri, të cilët më pas u larguan nga vendngjarja. Policia thotë se autorët ishin dy dhe është kapur njëri prej tyre.
NJOFTIMI I POLICISE
Zbardhet ngjarja e ndodhur sot në orën 05:15 në fshatin Kalivaç në Lezhë ku mbeti i plagosur shtetasi A.Gj.
Identifikohet dhe arrestohet njëri nga autorët e dyshuar të tentativës për vrasje
Më datë 11.07.2017, rreth orës 05:15, jemi njoftuar se në Kalivaç në Lezhë, është plagosur me armë zjarri shtetasi A.Gj. 47 vjeç , banues në Kalivaç Lezhë.
Më të marrë njoftimin , nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Lezhës , është formuar grupi hetimor, ku është shkuar në vendin e ngjarjes dhe janë kryer të gjitha veprimet hetimore për të bërë të mundur zbardhjen e kësaj ngjarje kriminale dhe vendosjen para përgjegjësisë ligjore të autorëve.
Nga hetimet ka rezultuar se, kur shtetasi A.Gj. ka qenë duke udhëtuar i vetëm me automjetin e tij tip Benz furgon, në Kalivaç , është qëlluar disa herë me armë zjarri nga 2 persona , ku si rezultat i të shtënave ka ngelur i plagosur në pjesën e këmbës.
Është dërguar menjëherë në spitalin Rajonal Lezhë, për dhënien e ndihmës mjekësore dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Si rezulat i veprimeve të shpejta profesionale e hetimore, si dhe duke bashkëpunuar me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë , është bërë i mundur identifikimi dhe lokalizimi i autorit të dyshuar, ku falë koordinimit efikas të punës me policinë e Kukësit , u arrestua në flagrancë në tentativë për tu larguar jashtë vendit nëpërmjet pikës së kalimit Kufitar Morinë Kukës , dhe konkretisht shtetasi:
Gjovalin Voci (Samuel Feta) , 40 vjeç , banues në Kalivaç – Lezhë.
Nga terësia e veprimeve të deritanishme, dyshohet që ngjarja të ketë ndodhur për motive të dobëta midis shtetasit A.Gj. dhe shtetasit Gjovalin Voci.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjeti i shtetasit të dëmtuar si dhe tre gëzhoja armë zjarri.
Materialet hetimore e proçeduriale do ti kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim ‘ “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” parashikuar nga nenet 76/22/25 dhe 278 të Kodit Penal.
Vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të fakteve dhe rrethanave të kësaj ngjarje, si dhe identifikimin e arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.