Erando Karabeci pritet të veshë fanellën e skuadrës së Flamurtarit pas ndeshjeve të Europës që do të luajë me Tiranën. Burime të besueshme pranë klubit vlonjat kanë konfirmuar për “Panorama Sport” se përpara nisjes për në Tel Aviv kapiteni i bardhebluve ka komunikuar me trajnerin e Flamurtarit, Shpëtim Duro. Ky i fundit i ka bërë një ofertë konkrete mesfushorit, të cilin e kërkon me këmbëngulje që ta ketë në ekipin vlonjat në sezonin e ri. Nga ana tjetër, mësohet se Karabeci i ka kërkuar trajnerit Duro që ta presë deri në përfundim të aventurës së Tiranës në Europë. Me të përfunduar ky përfaqësim, Karabeci pritet që të jetë në Vlorë dhe të vishet kuqezi.
Por vetë trajneri Duro pak ditë më parë i pyetur për lojtarin në fjalë u shpreh se ai nuk është në planet e klubit. “Jo, nuk kemi diskutuar me të”, tha Duro. Një gjë e tillë nuk rezulton të jetë e saktë dhe lojtari me shumë gjasa do t’i bashkohet Flamurtarit. Mesfushori 28- vjeçar është një lojtar me eksperiencë dhe që i bën shumë punë Flamurtarit. Përveç Karabecit, e njëjta situatë paraqitet edhe për Asion Dajën. Me këtë të fundit paraprakisht është arritur një akord, ndërsa pritet që të finalizohet gjithçka me mbërritjen e futbollistit në Vlorë. Po ashtu, Flamurtari është në pritje të përgjigjes nga Edon Hasani. Mesfushorit i është bërë një ofertë konkrete nga klubi vlonjat që mësohet se është 5 mijë euro në muaj. Hasani sezonin e kaluar e ka mbyllur te Kukësi. Hasani është një lojtar me eksperiencë, teksa më parë ka qenë pjesë e Vllaznisë dhe disa ekipeve jashtë vendit. Ai ka pasur edhe një ofertë nga Vllaznia, por ende nuk e ka vendosur të ardhmen.
MERKATO
Përveç këtyre tre emrave, Flamurtari është në tratativa me disa futbollistë të tjerë, por gjithçka po bëhet në mënyrë shumë të fshehtë, për shkak se lojtarët kanë kontrata me ekipet e tyre. Drejtuesit po shikojnë me vë- mendje të madhe tregun e huaj. Mësohet se puna është përqendruar në Serbi, Maqedoni e Brazil, por nuk përjashtohen as vendet e tjera të Europës. Mësohet gjithashtu se trajneri Duro, si dhe drejtuesit e klubit kanë hyrë në bisedime edhe me disa lojtarë të huaj të cilët luajnë në Shqipëri. Kjo për shkak se ata e njohin mjaft mirë kampionatin dhe për këtë arsye janë bërë edhe ofertat konkrete.
Për shkak të frikës se gjithçka mund të prishet, drejtuesit po tregohen të kujdesshëm edhe në drejtim të mos rrjedhjes së informacionit, ndaj së bashku me trajnerin Duro po zhvillojnë një merkato shumë të fshehtë. Interesi më i madh shfaqte për futbollistët e mesfushës, duke qenë se repartet e tjera janë të plotësuara.