Njeriu i momentit në Kombëtare. Dopieta në Izrael me të cilën mbylli një sezon fantastik, duke përf shirë edhe pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Europa Ligës, e kanë bërë Sadikun që të rifitojë edhe një herë kredencialet e nevojshme për ta katapultuar në një nga ligat kryesore në Europë. Në një rrëfim për “Panorama Sport”, bomberi i përfaqësueses flet për golat në ndeshjen e fundit të De Biazit në krye të kuqezinjve, si dhe i bën një analizë të detajuar të gjithë asaj që ka kaluar gjatë këtij viti futbollistik. 17 gola të realizuar brenda këtij sezoni e kanë lënë të kënaqur 26-vjeçarin, mirëpo nuk i kanë shmangur atij pengjet. Gjatë kësaj periudhe merkatoje, sulmuesi është lakuar shumë për interesime nga Izraeli, por jo vetëm. Gjatë fjalës së tij, Sadiku deklaron qartësisht se kërkon që të bëjë hapin e madh të karrierës së tij. “Dua që të luaj në një skuadër në Europa Ligë apo në Champions dhe që synon të fitojë”, është shprehur ndër të tjera Sadiku, i cili ka pranuar interesimin e Tramexanit dhe Sionit, ndërkohë që ka shpjeguar edhe se si ka lindur ideja për të imituar veprimin e njërit prej kuzhinierëve më të famshëm të momentit, si mënyrë festimi të golave.
Një sezon i mbyllur me një dopietë në Izrael, si ka qenë për ju ky 90-minutësh?
Një ndeshje që shumëpritur, pasi ishte e rëndësishme për ne për vetë faktin se kishim regjistruar pesë rezultate negative duke llogaritur edhe Luksemburgun. U mblodhëm të gjithë si ekip dhe vendosëm që thjesht duhet të nxirrnim atë shpirtin që e kishim lënë në Europian. E bëmë këtë gjë dhe isha unë që shënova dy gola.
Një Super-Sadiku në atë ndeshje…
Isha shumë i motivuar. E dija që do të shënoja. Bëra dy gola dhe u lumturova shumë. E shihja këtë lumturi edhe në sytë e shokëve të mi, si në pushimin e pjesës së parë, ashtu edhe pas ndeshjes.
Pas Luksemburgut, çfarë ndodhi mes jush lojtarëve dhe trajnerit?
Trajneri erdhi dhe na foli pas ndeshjes me Luksemburgun.
Çfarë ju tha?
Ai foli pak. Na tha vetëm: “Nuk kam shumë për t’ju thënë. Nuk kam çfarë të flas”. Dhe na la vetëm ne lojtarëve në sallë. Pastaj, ne folëm vetë me njëri-tjetrin. Aty vendosëm atë që thashë edhe më sipër, që duhet të nxirrnim më të mirën tonë kundër Izraelit. Ne e dinim që me një rezultat pozitiv në atë sfidë, mund të kthehej çdo gjë. Në fakt, nuk ishte ndonjë gjë kaq shumë speciale, por gjëra të thjeshta dhe ne arritëm të rikthehemi te suksesi.
Për të bërë një retrospektivë të sezonit tuaj ku pas Europianit, luajtët në kategorinë e dytë zvicerane. Si ishin javët e para?
Kanë qenë ditë dhe javë shumë të vështira për mua, sepse Zyrihu kishte rënë në kategorinë e dytë dhe unë nuk pata mundësinë të largohesha nga ajo skuadër. Kjo, sepse u bënë bashkë disa faktorë. Më pas qëndrova aty, pasi skuadra do të luante edhe në Europa Ligë.
Pata ulje-ngritje, por në total them që bëra një sezon të mirë. Në shtatë ndeshje realizova pesë gola, shënova edhe në Europa Ligë dhe çdo gjë po shkonte mirë. Për fat të keq, pësova dëmtim dhe m’u desh të operohesha, çka më bëri që të humbisja edhe ndeshje shumë të rëndësishme me Kombëtaren. U riktheva dhe në dhjetor kalova te Lugano.
Një konkluzion për këtë sezon tuajin?
Ka pasur si të mirat dhe të këqijat e tij, megjithatë jam shumë i lumtur që kur shkova te Lugano e tregova veten që jam mes më të mirëve të Superligës së Zvicrës.
Ishte vazhdimësi e formës suaj të mirë, apo Tramexani diti që t’i merrte më të mirën Sadikut?
Pa dyshim që edhe Tramexani ishte ndihmesë dhe flisnim thuajse çdo ditë. Më motivonte gjithmonë. Isha mirë atje. U ndjeva mirë sepse kisha luajtur edhe më parë dhe nuk kisha asnjë lloj problemi me komunikimin, apo as me drejtuesit që ishin të njëjtët që nga hera ime e parë në atë skuadër. Çdo gjë na shkoi shumë mirë, si mua personalisht, por edhe trajnerit, të cilin e falënderoj publikisht për të gjithë këshillat që m’i dha gjatë kësaj periudhe që punuam bashkë.
A keni një peng për këtë edicion që u mbyll?
Pengu im është që pësova një dëmtim atëherë kur nuk duhej.
Po momenti më i bukur?
Ka pasur disa ndeshje me ekipin e Luganos. Megjithatë, momenti më i bukur ishte kundër Izraelit, takim me të cilin e mbylla sezonin shumë mirë. Isha i përgatitur dhe kisha gjashtë muaj që e prisja.
Pse pikërisht Izraelin?
Në fakt prisja që të luaja kundër Italisë, të them të drejtën. Ajo gjë nuk ndodhi kundër saj, por kundër Izraelit. Ky ishte momenti më i bukur për këtë vit futbollistik.
Jeni përmendur edhe për mënyrën e festimit të golave…
Ishte kuzhinieri turk, Musrati, të cilin e ndiqnim shumë në rrjetet sociale. Mënyrën e tij e nisën ta bëjnë disa lojtarë si festim të golave. Me “Xhani Alioskin” po udhëtonim në një transfertë kundër St.Gallen. Aty vendosëm së bashku që, nëse do të shënonim, do të festonim me këtë gjestin. Kjo sepse, me sa kujtoj, një nga futbollistët e kësaj skuadre e kishte bërë një javë më parë.
Pra, nisi si një lloj “hakmarrjeje”?
Po, dhe pastaj vazhdoi në çdo ndeshje sepse po na sillte fat.
Është periudhe merkatoje dhe emri juaj është lakuar në disa pista. Së pari, Sion dhe Tramexani. Ka diçka konkrete?
Normale. Me Paolon kam një raport shumë të mirë. Flasim çdo javë. Tashmë është një raport edhe si shokë, jo vetëm trajner-lojtar. Bisedojmë për shumë gjëra dhe Paolo më do te Sioni. Kemi folur për të gjitha, por problemi është që duhet të bien dakord me Zyrihun që gjërat të bëhen. Deri tani jemi në bisedime. Unë ndodhem me pushime akoma, por kur të kthehem në Zvicër do të ulemi dhe t’i shohim gjërat me vëmendje për të gjitha interesimet që do të kem.
Personalisht do të pëlqenit një transferim në atë ekip?
Normale, do të kisha dëshirë që ta vazhdoja, pse jo, me Paolon akoma. Nuk di ende se çfarë do të ndodhë dhe nuk kam vendosur asgjë, por do të shohim në ditët në vazhdim.
Së fundmi, mediat, apo edhe menaxherë të njohur në Izrael si Vaknin, ka përmendur që ka dy kërkesa konkrete dhe të mira për ju nga dy skuadrat e mëdha atje. I interesuar për këtë transferim?
Mediat kanë folur dhe shumë njerëz më kanë kontaktuar. Megjithatë, deri në këto momente që po flasim, nuk kam asnjë ofertë konkrete nga këto dy ekipe. Kjo është e vërteta dhe asgjë më shumë. Mua nuk më ka ardhur askush dhe të më thotë që “Kjo është oferta. A e pranon apo jo?”.
A keni biseduar me drejtuesit e Zyrihut për të qartësuar vlerën e kartonit tuaj dhe kërkesat e tyre për t’iu lënë të lirë?
Nuk e di akoma. Megjithatë, edhe drejtuesit e Zyrihut janë treguar pozitivë kur kemi biseduar duke më thënë se nuk do të anulojnë apo anashkalojnë asnjë ofertë. Ata janë të gatshëm t’i mirëpresin të gjitha ofertat për t’i shqyrtuar për të marrë më pas një vendim. Nuk kanë caktuar patjetër një shifër të pandryshueshme. Pra, nuk kanë vendosur që kartoni vlen x milionë dhe nuk shitet më pak. Por, më parë duhet të vijë një ofertë konkrete për të cilën do të ulemi dhe të flasim.
Ju personalisht ku dëshironi të luani sezonin e ardhshëm?
Duke parë moshën që kam dhe me kaq shumë besim sa kam te vetja, dua që të bëj një hap shumë të rëndësishëm në karrierën time dhe dua të iki në një ekip që luan gjithmonë për të fituar diçka. Dua që të luaj në Europa Ligë apo në Champions. Ky është pikësynimi im momental.
Keni përmendur më parë edhe kampionate të rëndësishme si Bundesligë apo Seria A si preferenca…
E vërtetë, por realisht nuk e di se ku mund të luaj në sezonin e ardhshëm. Nëse do të vijë një skuadër që luan në këto liga që ju thashë dhe, nëse vjen një ofertë nga një kampionat cilësor dhe pjacë e mirë për të cilin të besoj se mund të bëj një hap të madh për karrierën, do të shkoj.
Jeni përmendur edhe për aplikimin për pasaportën bullgare. Në ç’pikë janë procedurat?
Është diçka shumë pozitive për mua, nëse do ta merrja pasaportën, për vetë mundësitë që më hap në kampionate elitare. Ka ende procedura që po kryhen dhe nga dita në ditë pres që të shkoj dhe ta marr atë.
Çfarë hapash keni ndjekur për atë?
Kam rreth dy vjet e gjysmë që bëj të gjitha procedurat për ta marrë pasaportën bullgare. Kam mbërritur në fazën finale. Nëna dhe gjyshi im janë nga Bullgaria dhe unë kam ndjekur të gjitha procedurat e tani ndodhem në fazën finale, ku pres pajisjen me atë dokument. Uroj që të më dalë sa më shpejt që të kem edhe mundësi të tjera për kampionate sa më të rëndësishme.
Meqenëse është edhe verë, ku i keni planifikuar pushimet?
Në fakt i kam bërë dhjetë ditë, pesë në Shqipëri dhe pesë të tjera në Korfuz. Kam edhe maksimumi dhjetë ditë të tjera, ku mund të iki për disa ditë në Ibiza. Më pas do të rikthehem në Zvicër, te Zyrihu fillimisht si skuadra që ka në zotërim kartonin tim. Më ka në kontratë dhe ato respektohen. Do të kthehem atje për të nisur stërvitjen, nga ku do të shohim se si do të shkojnë gjërat.
Jeta juaj personale?
Për momentin jam i përqendruar te situata e karrierës sime për momentin, pasi është një nga hapat e karrierës sime, duke pasur parasysh që jam 26 vjeç. Jam i fokusuar te futbolli për momentin. Sa për pyetjen, jam “single” dhe duhet të shohim edhe për ndonjë femër (qesh…)./Panorama Sport