Në orët e para të mëngjesit të sotëm breshëri armësh u shkrehën ndaj një punishteje ku punonin dy vëllezërit Beqiri në Elbasan. Ata fatmirësisht u shpëtuan plumbave duke marrë vetëm dëmtime të lehta. Duke qenë se kjo familje është në hasmëri disavjeçare me familje Capja në Elbasan, hasmëri që ka prodhuar disa viktima, mediat sollën në vëmendje historinë mes dy fiseve.
Por familjes Çapja nuk i ka pëlqyer aspak ky fakt, ndaj ka bërë për herë të parë një reagim publik.
“Të nderuar zonja dhe zotëri të mediave. Në emër të familjes Çapja dhe të ligjit, ju kërkoj të mos spekuloni me të vërtetën dhe lajmin. Në të kaluarën familja jonë ka vuajtur shtrembërimin e së vërtetës. Ka ardhur koha që mediat të marrin përgjegjësinë e së vërtetës. Me respekt, familja Çapja”
Viktimat e familjes Beqiri
Dy personat që janë qëlluar ditën e sotme para disa muajsh kanë humbur vëllanë, Sajmir Beqiri të cilit iu zu pritë në autostradë.
Ndërsa në gusht 2012 po këtyre personave u kanë vrarë vëllanë tjetër Gentian Beqiri dhe babain Nezir Beqiri.
Njoftimi i policisë
Më datë 21.06.2017, në orët e para të mëngjesit jemi njoftuar se në afërsi të një punishteje e cila ndodhet në Lagjen “Shënkoll” Elbasan janë dëgjuar të shtëna armësh.
Menjëherë shërbimet e policisë, janë nisur për në vendin e ngjarjes ku kanë konstatuar se brenda ndërtesës ndodheshin dy persona të dëmtuar lehtë.
Shtetasi G.B, 60 vjeç banues në Elbasan dhe shtetasi A.B, 49 vjeç banues në Elbasan, (vëllezër), të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin Kirurgjik Elbasan dhe ndodhen, jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga shërbimet e policisë rezultoi se persona të paidentifikuar dyshohet të kenë qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy vëllezërve të cilët kanë qenë duke punuar në punishte.
Të dy shtetasit janë dëmtuar lehtë jo nga plumbat por gjatë tentativës për ti shpëtuar të shtënave me armë zjarri, duke u përplasur me sendet që ndodheshin brënda punishtes.
Grupi hetimor vijon hetimet për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.