Ashtu sikundër ishte paralajmëruar edhe më herët Lëvizja Socialiste për Integrim ka dalë në një konferencë për shtyp urgjente, pas ngjarjeve të ndodhura në orët e fundit, ku eksponentë të LSI-së në rrethe të ndryshme janë goditur me mjete të forta duke përfunduar në spital. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama ka akuzuar drejtëpërdrejt si frymëzues për këto akte kryeministrin Rama. “Këto janë akte të shëmtuara ndaj LSI-së. Kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të drejtorit të përgjithshëm te Policise Haki Cako, të shefit të komisariatit të Policisë në Berat, drejtorit e policisë Berat, shefin e komisariatit Lezhë dhe shefin e komisariatit në Fushë Krujë, në të kundërt mosveprimi në një rast të këtillë përballë këtyre fakteve skandaloze është bashkëfajësi e funksionarëve më të lartë shtetërorë përfshirë këtu kryetarin e Rilindjes. Në të kundërt do jenë të detyruar të mbrojnë veten pa i kapërcyer kufijtë ligjorë”,- tha Luan Rama.