Prokuroria zgjeron hetimet për rastin e vrasjes së Ervin Dalipajt e Juxhin Dautaj në autostradën Tiranë- Durrës.
Mësohet se për llogari të kësaj dosje është pyetur një zyrtar i policisë së qytetit të Durrësit. Ndërkohë gjatë ditës dhe mbremjes së premte janë kryer disa kontrolle në zonën e Shijakut dhe Sukthit për ngjarjen. Prokuroria e Durrësit merr në pyetje një zyrtar të policisë së qytetit bregdetare për vrasjen e Ervin Dalipajt dhe Juxhin Dautaj.
ABC News ka mësuar se prokurorët kanë marr në pyetje shefin e krimeve në policinë e durrësit njëherazi i afërm i Dalipajt. Burimet thonë se gjatë seancës së marrjes në pyetje me cilësinë e personit që ka dijeni, shefi i krimeve ka mohuar se ka dijeni apo informacion se kush janë atentatorët e 25 prillit, që ekzekutuan brenda në makinë Ervin Dalipajn i shpallur në kërkim dhe shokun e tij Juxhin Dautaj.
Mësohet se ai i ka thënë hetuesve se si Dalipaj ashtu edhe Dautaj rezulton se kishin shumë konflikte me persona të ndryshëm. Veç shefit të krimeve, mësohet se prokuroria ka pyetur edhe disa persona të tjerë, të afërm të viktimave apo shok me të cilët shoqëroheshin, por pa ndonjë rezultat konkret në lidhje me zbardhjen e autorësisë së vrasjes.
Nga ana tjetër, burimet sqarojnë se Dalipaj edhe pse ishte person në kërkim strehohej mes Tiranës dhe Durrësit në vende të ndryshme por pa rënë në duart të policisë. Edhe ditën e ngjarjes, dy viktimat kishin qëndruar në Tiranë në zonën e “Ali Demit” nga ku janë nisur për në Durrës ku edhe u ekzekutuan pranë një servisi makinash.
Për këtë ngjarje ende nuk ka ndonjë të arrestuar edhe pse policia dyshon se janë identifikuar makinat nga ku vrasësit kanë qëlluar në drejtim të Dalipajt e Dautaj që po udhëtonin me një makinë të marr me qera.
Për këtë ngjarje, thonë burimet, gjatë ditës së premte janë kryer disa kontrolle banese në Shijak dhe Sukth, ku janë gjetur armë e sende të tjera të paligjshme. Por që pritet ekzaminimi karahasues e balistik i armëve të gjetur për të parë nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale. /ABC News