Ajax dhe Manchester United do të sfidohen sot në mbrëmje në Stokholm për trofeun e Europa League.
Një finale e tronditur nga tragjedia e të hënës në Angli, pikërisht në qytetin e Manchesterit, ku një kamikaz shpërtheu një bombë gjatë një koncerti, duke shkaktuar shumë viktima. Kjo situatë bëri që Jose Mourinho të mos zhvillojë konferencën.
Ekipi mbajti edhe 1 minutë heshtje në seancën e së martës. Për Ajax që ka në përbërje shumë lojtarë të rinjë kjo finale është një rast për mos tu humbur.
Peter Bosz, trainer i Ajax: “Është finalja e tyre e parë dhe është normale të jenë nervozë, por unë duhet të sigurohem që kjo mos të kthehet në pengesë. Nëse do t’i imponojmë rivalëve lojën tonë, do të kemi mundësinë që t’i mundim.”
Ekipi i Manchester United u ngushëllua edhe nga traineri i Ajax, Peter Bosz në daljen e fundit për mediat. UEFA ka garantuar siguri për zhvillimin e kësaj sfide dhe kontrolle të rrepta në hyrjet e stadiumit.
Manchester United kërkon të marrë këtë trofe për të shpëtuar sezonin, pasi do të thotë një vend në Champions League e ardhshme.
Ajax do të përpiqet të përsërisë suksesin e vitit 1992, ku fitoi Kupën UEFA, emri i mëparshëm i këtij turneu. Finalja do të nisë në orën 20:45 në Friends Arena të Stokholmit.