Kryeministri Edi Rama i është drejtuar Kuvendit me një kërkesë për seancë të jashtëzakonshme. Parlamenti do të mblidhet për të vënë në jetë marrëveshjen e 18 Majit Rama-Basha. Aty thuhet se të hënën pasdite votohen ministrat e rinj të propozuar nga PD-ja, kreu i KQZ dhe ligjet e Vetingut.
Ndërkohë sot pritet të publikohen emrat zyrtarë të ministrave të rinj dhe drejtorëve, pjesë e marrëveshjes politike të dy liderëve të politikës.
Kërkesa e plotë e Ramës
Bazuar në nenin 74 të Kushtetutës dhe në nenin 42 të Rregullores së Kuvendit, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama, i ka drejtuar Kuvendit një kërkesë të motivuar me shkrim për thirrjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm.
Kërkesa ka përcaktuar që thirrja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm të zhvillohet ditën e hënë, më datë 22 maj 2017, në orën 18.00.
Rendi i ditës i seancës plenare do të përmbajë diskutimin dhe votimin e çështjeve për vënien në zbatim të Marrëveshjes Politike të datës 18 maj 2017, lidhur me:
– Votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për lirim dhe emërim të zëvendëskryeministrit dhe të 6 ministrave;
– Shqyrtimin dhe miratimin e paketës ligjore që ka lidhje me reformën zgjedhore;
– Miratimin e anëtarëve të pakicës parlamentare në 3 komisionet ad hoc të vettingut, si dhe caktimin e zëvendësuesve;
– Zgjedhjen e Kryetarit dhe një anëtari të KQZ-së.
/Opinion.al