Deklarata e një dite më parë, e Presidentit të BE – së Antonio Tajani, se të kthyerit nga Siria drejt vendeve të origjinës dhe sidomos Ballkanit, mund të bëhen problem për Europën, por dhe sinjalet e mëparshme të shërbimeve sekrete të vendeve të BE – së, kanë bërë që në Shqipëri të rriten verifikimet ndaj ish – luftëtarëve në Siri.
Burime të Tv Klan, pranë Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit thonë se një grup personash që dyshohet se kanë luftuar në Siri, po mbahen prej tyre në vëzhgim.
Burimet nuk japin të dhëna mbi emrat apo kohëzgjatjen e tyre në Siri, por thonë se grupi i personave që mendohet se është mbi 30 vetë, është konfirmuar prej hetuesve në rrugë jozyrtare. Kjo pasi të gjithë të dyshuarit, kanë të dokumetnuar vetëm hyrjen në Turqi, nëpërmjet aeroportit të Stambollit, por jo hyrjen e tyre në Siri. Kjo pasi të gjithë të dyshuarit janë futur në Siri, nëpërmjet kufirit tokësor në mënyrë ilegale.
Por po ashtu informacione dhe prova të tjera të cilat mungojnë kanë bërë që të frenohen veprimet hetimore dhe procedurale nga policia. Kjo pasi në mungesë të provave direkte është e vështirë dokumentimi i përfshirjes së këtyre personave si pjesë e grupimeve xhihadiste. Nëse do të ishin gjetur prova ndaj tyre, policia mund të kishte ndërhyrë me qëllim arrestimin e tyre.
Për këtë shkak, elementët dhe personat e dyshuar vijojnë të mbahen nën vëzhgim nga agjentët e Antiterrorit, me qëllim parandalimin e akteve të mundshme terroriste prej tyre brenda apo jashtë vendit.