Ndërsa në Durrës zhvillohet kongresi elektoral i PS në çadrën e lirisë flet kryedemokrati Lulzim Basha. Pasi ka lexuar premtimet e pambajtura të qeverisë ai i ka hedhur në tokë, duke bërë një batutë dhe me Preç Zogajn.
“Kanë shpallur zgjedhje moniste… vendimin që e morëm të gjithë për të drejtën hyjnore dhe sovrane, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rama e di fare mirë pse e bëri këtë, sepse i trembet gjykimit popullor me votë, sepse nuk ka asnjë përgjigje për pyetet më të thjeshta që i drejton qytetari më i zakonshëm. Ku i ke 300 mijë vendet e reja të punës? Ku e ke shëndetësinë falas? Ku e ke heqjen e TVSH për ushqimet e shportës? Ku e ke uljen e TVSH për energjinë elektrike? …Ka kaq shumë gënjeshtra sa nuk i mbaj mend të gjitha, i printova, ja ku janë , ‘mos i prek Preç’.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në mënyrë simbolike i ka dhënë çmimin e Oscar-it Qeverisë Rama për mashtrimet dhe premtimet e pambajtura me të cilat erdhi në pushtet.
Fjala e kryetarit të PD Lulzim Basha:
9 Maji është dita kur kupola e Republikës së Vjetër ka shpallur ceremoninë e çmimeve Oskar në Durrësin e Vangjush Dakos ku luhet teatri i shëmtuar i hipokrizisë dhe mashtrimit”
Republika e vjetër në grahmat e fundit po ju dhuron këtë shfaqje të shëmtuar të hipokrizisë të shqiptarëve. Ka zgjedhur datën 9 maj, ditën e Evropës si për të na kujtuar kontrastin e thellë, që qëndron mes atyre që erdhën në pushtet me emrin aleanca për Shqipërinë evropiane dhe u faktuan për 4 vite si aleanca e drogës dhe krimit.
Kush e merr Oscar-in për degjenerimin e sistemit arsimor në një rrjet motelesh për pushtetarët e degjeneruar. Kush e merr? Lindita Nikolla!
Kush ja dorëzoi territorin dhe kufijtë krimit të organizuar? Kush e meriton Oscarin për katandisjen e fshatit shqiptar për ditën më të zezë që ka njohur në këto 25 vite. Me bagëtitë e sëmura, me tregjet që nuk u garantuan kurrë, me kanalet vaditëse që nuk u ndërtuan kurrë. Pra sot është dita e çmimeve Oscar për bandën në pushtet, për kupolën politike të Republikës së Vjetër që në 4 vite mendoi vetëm për pushtetin e vet që nuk punoi asnjë orë të vetme për qytetarët shqiptarë.
Këtu ndodh një luftë e heshtur, lufta që krimi i organizuar, oligarkët barkëderrë i kanë shpallur popullit të tyre, duke shkatërruar ekonominë me taksa të larta, duke shkatërruar vendet e punës me arrogancë.
Projekti i tyre i fundit është asgjësimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në funksion të kësaj kanë shpallur zgjedhjet moniste sepse refuzojnë zgjidhjen që përcaktuan qytetarët më 18 qershor. Ai i trembet gjykimit popullor me votë sepse nuk ka asnjë përgjigje për pyetjet e një qytetari të zakonshëm. Ku i ke 300 vendet e punës? Ku e ke shëndetësinë falas? Ku i ke subvencionet për fermerët? Ku i ke legalizimet falas?
Ka kaq shumë gënjeshtra. Nuk ka mbajtur asnjë premtim. Edi Rama nuk mbajti asnjë premtim. Edi Rama nuk u përpoq kurrë të mbante asnjë premtim me të cilin erdhi në pushtet. Edi Rama me vullnet i braktisi premtimet e tij.