Fiks Fare ka denoncuar sonte skandalin e radhës në arsim, ku një mësuesi të diplomuar për frëngjisht i heqin orët e gjuhës së huaj dhe e caktojnë për të dhënë histori, ndërsa një mësuese që nuk di gjuhën frënge jep mësim në një shkollë tjetër brenda juridiksionit të së njëjtës zyrë arsimore.
Skandali ka ndodhur në Ersekë, ku mësuesit, i cili është ankuar pranë emisionit investigativ, i kanë hequr orët e mësimit me pretekstin se nxënësit hoqën dorë nga frëngjishtja si lëndë e dytë dhe nuk i gjendet një vend tjetër pune në si mësues frëngjishteje, por i ofrohet punë si mësues historie. Ndërkohë, në një fshat vetëm 500 metra larg shkollës së qytetit, një mësuese, me arsim të mesëm, e cila ka bërë vetëm një kurs frëngjishteje, jep këtë lëndë.
Historia u denoncua në redaksinë e emisionit Fiks Fare nga mësuesi Anesti Jorgji, mësues në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, Ersekë. Mësuesi Jorgji, i diplomuar për frëngjisht, i trajnuar në Francë dhe me disa specializime jashtë vendit, u ankua se padrejtësisht i hiqen orët e mësimin në gjimnaz. Sipas mësuesit, atij i kanë hequr orët e mësimit në klasat 11-të dhe 12-të në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Për këtë, ai akuzon Drejtorinë e Arsimit Rajonale në Korçë, pasi e cilëson të padrejtë heqjen e orëve të një mësuesi me arsim përkatës, ndërkohë që një mësuese tjetër pa arsimin përkatës zhvillon orët e frëngjishtes. Ai shprehet se mund të pranojë heqjen e orëve në gjimnaz, por kërkon ta transferojnë me një shkollë tjetër, ku zhvillohet ora e frëngjishtes.
Madje, ai tregon edhe vendin se ku mund ta çojnë. Mësuesi shpjegon se në shkollën “Dy Dëshmorët” në Taç të Ersekës, lëndën e frëngjishtes e realizon një mësuese, e cila nuk ka arsimin e lartë dhe është me arsim të mesëm të orientuar. Duke e cilësuar komplet të padrejtë këtë çështje, mësuesi Anesti Jorgji e ka ngritur si shqetësim pranë institucioneve përkatëse, por nuk ka gjetur një zgjidhje. Në këto kushte, arsimtari kërkon përmes emisionit “Fiks Fare” të dëgjohet rasti i tij dhe të ketë një zgjidhje për të, pasi deri më tani ka rënë në vesh të shurdhët.
Pas denoncimit të mësuesit, gazetarët e emisionit investigativ shkuan në shkollën 9-vjeçare në fshatin Taç të Ersekës, ku pyetën nxënësit e kësaj shkolle për të vërtetuar nëse ata dinë të komunikojnë frëngjisht. Nxënësit e klasave të pesta dhe të gjashta dinë të prezantohen në anglisht, por aspak në frëngjisht, e vetmja fjalë që ata dinë është “Zhë ma pel”. Gjatë intervistës me nxënësit, një prej fëmijëve shprehet se edhe mësuesja e gjuhës frënge nuk di të flas mirë.
Lidhur me arsimin e kësaj mësueseje, Fiks Fare pyeti edhe drejtorin e shkollës 9-vjeçare “Dy Dëshmorët”. Kreu i kësaj shkolle, Saimir Sadiku, shprehet se është në dijeni që mësuesja është me shkollë të mesme, por nuk mund ta largojë tanimë, pasi është mesi i vitit shkollor. Ai shprehet se mësueses i janë ngarkuar dhe orët e lëndës së historisë dhe muzikës dhe kjo është një arsye tjetër që nuk mund ta largojë.
Pasi informimit nga emisioni “Fiks Fare” pati një reagim edhe nga Ministria e Arsimit, e cila kërkoi nga drejtoritë arsimore në rrethe që të informojnë qartë çdo klauzolë që është e hartuar në rregulloren e arsimit. Sipas përgjegjëses së sektorit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Tatjana Vuçani, për rastin në fjalë, është përgjegjëse ZA Kolonjë dhe DAR Korçë, pasi në udhëzimin që ka dhënë ministria, është fare e qartë që nuk duhet të anashkalohet asnjë element në dosjen e çdo mësuesi. Vuçani theksoi më tej se Drejtoritë Arsimore Rajonale në rrethe kanë për detyrë të informojnë drejtoritë dhe mësuesit e shkollave për të gjitha këto udhëzime.