Anëtarët e aleancës perëndimore NATO duhet të përgatiten për një sulm të mundshëm nga Rusia brenda katër viteve të ardhshme, sipas shefit të mbrojtjes së Gjermanisë.
Gjenerali Carsten Breuer tha në intervistën e tij për BBC, Rusia po prodhon qindra tanke në vit, shumë prej të cilave mund të përdoren për një sulm ndaj shteteve baltike anëtare të NATO-s deri në vitin 2029 ose edhe më herët.
Ai gjithashtu këmbënguli që NATO, Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, duhet të mbetet e bashkuar mbi luftën në Ukrainë, pavarësisht dallimeve në opinione të shprehura së fundmi nga Hungaria dhe Sllovakia.
Komentet e tij vijnë disa javë përpara zhvillimit të samitit të vendeve të NATO-s në Hagë, ku pritet të diskutojnë buxhetet e mbrojtjes, ndër të tjera.
Gjenerali Breuer tha se NATO po përballet me “një kërcënim shumë serioz” nga Rusia, një kërcënim që ai nuk e kishte parë kurrë më parë në 40 vitet e tij në shërbim.
Për momentin, tha ai, Rusia po i ndërton forcat e saj në një “masë të jashtëzakonshme”, duke prodhuar afërsisht 1,500 tanke kryesore beteje çdo vit.
“Jo çdo tank do të shkojë në [luftën në] Ukrainë, por po shkon edhe në stoqe dhe në strukturat e reja ushtarake që janë gjithmonë përballë Perëndimit”, tha ai.
Rusia prodhoi gjithashtu katër milionë fishekë municionesh artilerie 152 mm në vitin 2024, dhe jo të gjitha këto sasi shkuan në Ukrainë, shtoi gjenerali Breuer.
“Ekziston një qëllim dhe ka një grumbullim të stoqeve” për një sulm të mundshëm në të ardhmen ndaj shteteve balltike të NATO-s, tha ai.
“Kjo është ajo që po vlerësojnë analistët – në vitin 2029. Pra, duhet të jemi gati deri në vitin 2029… Nëse më pyetni tani, a është kjo një garanci që nuk është më herët se viti 2029? Do të thoja jo, nuk është. Pra, duhet të jemi në gjendje të luftojmë sonte”, tha ai.