Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim në selinë blu me dy zyrtarët evropianë, David McAllister dhe Knut Fleckenstein. Ata janë në Tiranë për të negociuar me palët lidhur me krizën politike.
Më herët dy zyrtarët u takuan dhe më kryeministri Edi Rama dhe kreun e Kuvendit Ilir Meta. Nga të dy takime nuk u bë i ditur asnjë detaj se çfarë u bisedua.
E megjithatë ende nuk mund të thuhet nëse është arritur apo jo kompromis mes zyrtarëve evropianë dhe kryedemokratit Basha, prej nga ku do të varet edhe fati i tryezës së dialogut PS-PD-LSI.
Por menjëherë pas takimit me negociatorët, Basha ka publikuar në rrjetin social “Facebook” një videomesazh, ku ndalet tek momentet më pikante të protestës së djeshme të opozitës, kur për plot 1 orë u bllokuan disa nga akset kryesore të vendit.
Në këtë video, theksi vihet tek kërkesa e protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, por ajo çka bie në sy, është fakti se nuk përmendet konkretisht kërkesa tjetër kaq shumë e theksuar nga PD, ajo që qeveri teknike.
“Mijëra qytetarë protestuan paqësisht në 5 akset kryesore të Shqipërisë, Rreth rrotullimi te Shqiponja, Tiranë; kryqëzimi i Teknologjikes, Tiranë; aksi kombëtar, Lushnjë; aksi kombëtar, Milot; aksi kombëtar, Elbasan; për të mbyllur rrugët e krimit dhe drogës.
Të bashkuar për zgjidhje të lira e të ndershme. Kurajë dhe qytetari e jashtëzakonshme për një republikë të re”, shkruan në videomesazh Basha.