Sot nga ora 11:00-12:00 opozita nis një aksion të ri, bllokimin e rrugëve kryesore në shenjë protestë ndaj qeverisë.
Kështu, sot në Tiranë bllokohet rrethrrotullimi i Shqiponjës dhe kryqëzimi i Teknologjikut. Në jug do të jetë i bllokuar rrethrrotullimi i Plugut në aksin Lushnje-Cerm. Në veri të do të bllokohet rrethrrotullimi i Milotit, aty ku lidhet Rruga e Kombit me rrugën nacionale Shkodër-Tiranë. Në Juglindje do të bllokohet rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan.
Lideri demokrat Lulzim Basha do të jetë vetë në krye të protestës në orën 11:00 në rrethrrotullimin e doganës (sheshi Shqiponja) në Tiranë.
“Protestë madhështore, paqësore por e vendosur dhe e pathyeshme në shërbim të çdo shqiptari e çdo shqiptareje, në shërbim të Republikës së Re”, ka deklaruar Basha duke premtuar se nuk do të ketë dhunë. “Dhunë në protestat e opozitës së bashkuar dhe qytetarëve të Republikës së Re nuk ka e nuk ka për të patur! Dhuna është tipar i dobësisë morale, dhuna është tipari dallues i frikacakëve dhe këtu jemi të gjithë njerëz të kurajos qytetare, frikacakët fshihen pas fasadës”, u shpreh dje ai.
“Ejani pa frikë dhe paqësisht, por vendosmërisht”, bëri thirrje lideri i PD-së./Opinion.al