I riu që u arrestua dje, me akuzën e vrasjes së 33-vjecarit në lokalin me muzikë live në Vlorë ka pranuar krimin para oficerëve në polici.
Një ditë pas arrestimit, Gani Tozaj nga fshati Sevaster i Vlorës, ka pranuar e ka qëlluar me armë viktimën, duke thënë se më parë mes tyre pati një sherr.
“Gjithcka nisi si një sherr banal. U zumë fillimisht me fjalë, pastaj nisi sherri mirë. Nuk e mora vesh më pas se cfarë ndodhi dhe pse u nxorën armët”- ka thënë ai.
Ndërkohë ekspertiza ka konfirmuar se në vend janë gjetur 20 gëzhoja armësh. Burime jozyrtare bëjnë me dije se dyshohet se ka pasur të shtëna edhe nga tavolina tjetër, pra ka pasur një shkëmbim zjarri.
Ai strehohej në një banesë në lagjen “Ujë i Ftohtë”, pranë vendit të quajtur “7 pallatet”, shkruan “Panorama”.
Gjithashtu, Policia ka shpallur në kërkim shtetasit A.K., 37 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, si dhe E.S., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
“Më datë 20.04.2017, rreth orës 23:20, pas një konflikti të çastit, në ambientet e lokalit ‘Fiks Fare’, në lagjen ‘Ujë i Ftohtë’, është qëlluar me armë zjarri tip pistoletë dhe ka humbur jetën shtetasi Ergys Gjioveshaj, 33 vjeç, banues në Vlorë.
Gjithashtu kanë mbetur të plagosur edhe tre shtetas të tjerë: F.H., 28 vjeç, muzikant, A.L., 26 vjeçe, kliente në lokal dhe A.Ll., 33 vjeç, kamerier”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Burimi: Panorama