Partia Socialiste ka tërhequr kandidaten për kryetare bashkie në Kavajë, pasuesen e Elvis Rroshit, znj. Silvana Daja, e cila është dhe bashkëshortja e kreut të PS në Kavajë Gentian Daja.
Dorëheqja e saj brenda javës është për arsye politike. Kundra saj ishte aleati në koalicion, LSI-ja. Asnjëherë LSI nuk tha se pse nuk ishte dakord me këtë kandidaturë, por deklaroi zyrtarisht se PS nuk ishte konsultuar gjatë përzgjedhjes së znj. Daja. Madje n/kryetari i LSI-së, refuzoi ti permendte dhe emrin…
Nga ana tjetër opozita disa herë e kishte etiketuar Gentian Dajën si trafikant droge.
Opinion.al ka përgatitur një kronologji të plotë të gjithë deklaratave dhe akuzave publike që çuan PS në këtë vendim.
24 Mars- Presidenti i Republikës nxorri dekretin sipas të cilit zgjedhjet e pjesshme lokale të Kavajës mbahen më 7 Maj.
24 Mars- Kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka reagon duke deklaruar se opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet e Kavajës.
“Ju jeni në dijeni të vendimit që ka marrë opozita shqiptare. Zgjedhje me Edi Ramën me paratë e pista të drogës nuk do të ketë. Në Kavajë apo në cilëndo zonë tjetër të Shqipërisë. Vendimi i opozitës është i parevokueshëm. Ky është një vendim që e morën qytetarët shqiptarë më 18 shkurt”.
24 Mars- Rama i përgjigjet PD-së për bojkotin në Kavajë:
“PD nuk hyn ne zgjedhje në Kavajë?Keqardhje për PD po kriza e saj s’është e s’do bëhet kriza e vendit! Zgjedhjet do bëhen Drejtësia do bëhet”
25 Mars- kreu i PS në Kavajë, Gentian Daja bën të ditur se janë zgjedhur kandidatët për kryetar bashkie dhe mes tyre është edhe bashkëshortja e tij Silva Daja.
“Mbledhja e Asamblese Socialiste te Kavajes propozoi 6 kandidate per Kryetar Bashkie nje nder te cilat edhe bashkeshortja ime Silvana Daja. Nisur nga ky propozim per te mos ndikuar jam i detyruar te dorehiqem nga detyra e Kryetarit te Partise Socialiste Kavaje”.
26 Mars- Kreu i grupit socialist Taulant Balla deklaron se PS merr pjesë në zgjedhjet e Kavajës edhe pa opozitën.
“PS do të marrë pjesë në zgjedhjet në Kavajë edhe pa opozitën. Shumica i ka votat e nevojshme për implementimin e ligjeve. Gjithashtu qeveria është e gatshme për të diskutuar rreth çdo gjëje me opozitën”.
29 Mars -LSI deklarohet për herë të parë për zgjedhjet në Kavajë duke dhënë edhe lajmin e papritur se kjo forcë politike nuk merr pjesë në zgjedhje.
“Kavaja është një rast i çuditshëm, sepse bëhen zgjedhje për shkak të papërgjegjshmërisë në zgjedhjet e mëparshme dhe gabimit në zgjedhje dhe qytetarëve të Kavajës u jepet mundësia të korrigjojnë gabimin, që nuk e bënë. Nga kjo pikëpamje duke qenë se është jashtë fokusit të situatës dhe meqë zgjedhja e kandidaturës është bërë në mënyrë të njëanshme mbetet cështje e PS dhe LSI nuk ka pse të implikohet. LSI nuk merr pjesë në farsë, është e vendosur dhe do të ushtrojë kontributin që të zhvillohen zgjedhje me standarde europiane”.
30 Mars- Kreu i PS-së Tiranës, Saimir Tahiri reagon me tone të ashpra ndaj LSI që nuk merr pjesë në zgjedhjet e Kavajës.
“Deklaratat e LSI se zgjedhjet në Kavajë qenkan farsë jane destruktive dhe nuk ndihmojne askend. Aq me pak kthimin e opozites ne normalitetin demokratik. Ka nje tjeter pyetje te thjeshte: Ku nuk merr pjese LSI? Sepse kandidaturen e Kavajes ne marreveshjen e koalicionit, e propozon PS ashtu sikunder po PS propozoi kandidaturen per Dibren dhe LSI i takonte te propozonte kandidaturen per Kolonjen. Ndaj LSI le te thote me mire qe nuk deshiron te merret me fushaten e Kavajes dhe kjo mund te jete e mirekuptueshme. Por keshtu nuk shkon, sepse jo vetem nuk vriten dy zogj me nje gur ne kete rast, por po sulmohet PS duke i shkelur syrin PD!”
30 Mars- Luan Rama i përgjigjet Saimir Tahirit, duke shpjeguar edhe njëherë arsyet se pse LSI nuk hyn në zgjedhjet e Kavajës.
“Nuk jemi regjstruar në zgjedhjet e Kavajës. Nuk marrim pjesë, pasi nuk jemi dakord me mënyrën se si u procedua për të zgjedhur kandidatin. Ishte e njëanshme, pra nuk u trajtuam si partner koalicioni. Ne kemi qenë kundër për kandidaturën e Elvis Rroshi. Ndaj kjo është një çështje e PS-së. Ne jemi korrekt i qendrojmë marrëveshjeve të koalicionit. Sepse të jesh partner në qeverisje do të thotë të pyesin dhe të pyesësh. Pra të vendosësh sëbashku”.
30 Mars – Kryeministri Edi Rama në një intervistë për emisionin Opinion deklaron se kandidatura e PS për Kavajën nuk është vendosur ende.
“Se kemi vendosur kandidatin e Kavajës, kemi kërkuar kandidaturat nga Partia Seocialiste e Kavajës dhe do t’a vendosim ditën e dielë. Siç funksionon marrëveshja e koalicionit, duke qenë se Kavaja është një bashki që propozimin e ka Partia Socialiste, ajo do bëjë propozimin”.
/R. Dedaj-Opinion.al